Tahiri fajëson Idrizin për raportin e ZKA-së, thotë se është më i keqi në historinë e pasluftës për Vushtrrinë

by Nexhat

Ish-kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, ka reaguar pas publikimit të raportit vjetor të pasqyrave financiare për Vushtrrinë nga Zyra Kombëtare e Auditimit për vitin 2023.

Tahiri në një konferencë për media ka thënë se ky është raporti më i keq në historinë e pasluftës për Komunën e Vushtrrisë dhe se i njëjti sipas tij vërteton shkelje të rënda të ligjit, keqpërdorim të buxhetit dhe pozitës zyrtare.

“Të gjitha këto shkelje përbëjnë elemente të veprave penale të cilat Prokuroria Speciale dhe Prokuroria e Kosovës duhet t’i hetojë. Zyrtarisht sipas Zyrës Kombëtare të Auditimit, Komuna e Vushtrrisë e ka përformancën më të dobët, më të keqe nga të gjitha komunat në nivel të Republikës së Kosovës. Kjo është për keqardhje, qytetarët e Vushtrrisë nuk e meritojnë një qeverisje me performancë kaq të keqe sepse qytetarët e Vushtrrisë meritojnë më mirë”, ka thënë Tahiri

Ai ka thënë se kryetari aktual i qytetit, Ferit Idrizi, ka dështuar jo vetëm për të ofruar projekte në të mirë të qytetarëve por sipas tij, edhe projektet që janë kryer ato janë finalizuar  me keqpërdorime të mëdha.

Ish-kryetari i Vushtrrisë është shprehur se në këtë raport Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka regjistruar “një sërë shkeljesh” lidhur me punësimet në Komunën e Vushtrrisë, subvencionet e të tjerë, transmeton Telegrafi.

Në këtë konferencë për media, Tahiri ka shtuar se ZKA ka gjetur keqpërdorime edhe në menaxhimin e pronave publike të Vushtrrisë.

“Ka mos-respektim të kontraktave për shfrytëzim të pronave publike, nënshkrim të kontraktave për shfytëzim të pronës publike në mënyrë të kundërligjshme dhe procedura për dhënien në shfrytëzim të pronave publike në mënyrë të kundërligjshme. Të gjitha këto gjetje i involvojnë direkt sidomos kryetarin e komunës. Komuna e Vushtrrisë, sipas raportit të ZKA-së ka bërë shkelje dhe keqpërdorim edhe në kontratat ku ka të bëjë me tejkalim të vlerave të kontratës. Për shembull, projektet kapitale për rregullimin e rrugës “Bekim Berisha”, projekti kapital për rregullimin e rrugës “Lumni Surdulli” janë kontrata me shklje ligjore ku janë tejkaluar shuma të parashikuara buxhetore”, ka shtuar tutje ai

Ai ka theksuar se bazuar në këtë raport, ka keqpërdorime edhe në kontratat për material pedagogjik, në kontratat për mirëmbajtjen e ndriçimit publik, lejet ndërtimore e të tjerë.

Më tej, Tahiri ka potencuar se përgjegjës për të gjitha këto shkelje është kryetari i Komunës, Ferit Idrizi

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy