Portugali-Francë ishte superdueli që të gjithë e prisnin, e që megjithatë të paktën në pjesën e parë të lojës dhuroi fare pak emocione.
Dy skuadrat nuk kanë kaluar momentin më të mirë në këtë turne. Duke llogaritur fitoren pas penalltive ndaj Sllovenisë në 1/8 dhe humbjen në grupe me Gjeorgjinë, Portugalia nuk shënoi gol në Euro 2024 prej më tepër se 365 minutave lojë.
Në anën tjetër, Franca nuk ka shënuar gol me aksion në këtë event prej 575 minutave. Praktikisht Gjelat janë në gjysmëfinale fale autogolave dhe penalltive, pa shënuar si rrjedhojë e lojës.
Statistika alarmante për dy prej skuadrave pretendente. Aq më tepër nëse kujton se në përballjen ndërmjet tyre në Euro 2020, sfida përfundoi në barazim 2-2, me Cristiano Ronaldo dhe Karim Benzema që ishin autorët e golave.