Ikona e futbollit gjerman, Toni Kroos, deklaroi se emigracioni në Gjermani ka dalë jashtë kontrollit dhe ai ndihej më i sigurt në Spanjë se sa në vendlindje.
Në një intervistë për “The Telegraph”, të dhënë para humbjes ndaj Spanjës në Euro 2024, që ishte edhe ndeshja e tij e fundit si profesionist, Kroos tha Gjermania nuk e ka menaxhuar me sukses fluksin e të huajve në vend.
“Besoj se situata ju ka rrëshqitur nga duart përgjatë viteve”, tha Kroos. “Në mendimin tim, kjo është arsyeja pse njerëzve u ka ardhur në majë të hundës. Mendoj se nuk e menaxhuam si duhet. Është e qartë që kur vijnë shumë njerëz, ka mes tyre edhe nga ata që nuk na bëjnë mirë”.
Kroos shtoi: “Mendoj se Gjermania është një shtet i madh dhe jam i lumtur që jam këtu, por nuk është më i njëjti vend që ishte 10 vite më parë kur u largova unë”.
Ai tha gjithashtu se teksa vajza e tij 7-vjeçare rritet, ai do të ndihej më mirë nëse ajo dilte mbrëmjeve në Spanjë, se sa në vendlindje. “10 vite më parë nuk do të ndihesha kështu”.