Qeveria e Kosovës do të shqyrtojë sot Propozim-vendimin për shpalljen e datës 11 korrik, si ditë përkujtimi për gjenocidin në Srebrenicë. Në rendin e ditës së publikuar në faqen e Qeverisë, figuron se propozimi është i Zyrës së Kryeministrit.
Por, këtë propozim e kishte dhënë para tre muajsh nënkryetari i Kuvendit dhe deputeti i PDK’së, Enver Hoxhaj.
Në prill të këtij viti, ai kishte njoftuar se kishte propozuar në Kryesinë e Kuvendit që Kuvendi ne ditën kur Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara aprovon rezolutën për “Ditën Ndërkombëtare të Kujtimit dhe Përkujtimit të Gjenocidit të vitit 1995 në Srebrenicë”, të njejtën rezolutë ta mbështesë edhe Kuvendi i Kosovës.
“Duke mos qenë anëtare e OKB-së ku do të ishim përkrahës të natyrshëm të kësaj rezolute, kjo është mënyra më e mirë për Kosovën që t’i bashkohet botës demokratike në dënimin dhe përkujtimin e gjenocidit në Srebrenicë
Ballafaqimi me të kaluarën është më se i nevojshëm dhe politika gjenocidale dhe serbomadhe e Beogradit ndaj Kosovës, Bosnjës dhe Kroacisë, duhet të ndëshkohet dhe përkujtohet, me qëllim që ajo kurrë të mos rikthehet në rajon”, kishte shkruar Hoxhaj.