Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë ka thënë se Berlini zyrtar është për heqje te masave ndaj Kosovës. Megjithatë sqarojnë se janë vendet anëtare të BE që vendosin dhe se mbetet në duart e Qeverisë së Kosovës për të krijuar klimë të favorshme për të arritur konsensusin e nevojshëm në Këshillin Evropian.
Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borell, përmes raportit të tij të cilin e kishte dorëzuar tek shtetet anëtare të BE-së, kishte rekomanduar heqjen e masave për Kosovën. Megjithatë, përveç diskutimeve se disa shtete janë për heqje të plotë dhe disa jo, s’ka pasur ende asnjë lëvizje konkrete për heqjen e tyre.
Gjermania si një prej shteteve anëtare që është e përfshirë direkt në negociatat e Dialogut të Brukselit ka bërë publik qëndrimin e saj se është për heqjen e masave. Në një përgjigje për Gazetën Express nga Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë kanë thënë se ambasadori Jorn Rohde e ka përsëritur që Gjermania mbështet heqjen e masave kundër Kosovës.
Megjithatë, nga Ambasada gjermane shtojnë se Rohde gjithashtu ka deklaruar se vendimi do të merret nga të gjitha shtetet anëtare dhe se mbetet në duart e Qeverisë së Kosovës për të krijuar një klimë të favorshme për sigurimin e një konsensusi të nevojshëm në Këshill për heqjen e masave.
“Ambasadori gjerman në Kosovë ka deklaruar vazhdimisht se Gjermania mbështet heqjen e masave ndaj Kosovës.
Megjithatë, ai gjithashtu theksoi se vendimi do të merret nga të gjitha vendet anëtare të BE-së dhe nënvizoi qëndrimin e tij se është në duart e qeverisë kosovare të krijojë një klimë të favorshme që do të siguronte konsensusin e nevojshëm në Këshill për heqjen e masat”, ka thënë për Gazetën Expresa, Christian Bottcher.
Ambasadori gjerman Rohde më herët teksa kishte folur për dështimin e takimit në mes kryeministrit të Republikës së Kosobës Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, kishte thënë se ndonëse ky takim s’ka lidhje me masat, dështimi i tij s’krijon frymë pozitive.
Kosovës i janë vendosur masat në qershorin e vitit 2023 për shkak të veprimeve lidhur me zgjedhjet lokale në katër komunat veriore dhe dërgimin e kryetarëve nëpër objekte komunale në kundërshtim me këshillat e aleatëve.