1 milion e 586 mijë e 659 banorë rezidentë në Kosovë, 560 mijë banesa e 353 mijë ekonomi familjare – dalin rezultatet e regjistrimit

by Merita

1 milion e 586 mijë e 659 banorë rezidentë ka Kosova, sipas regjistrimit të fundit popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave. Prej tyre, 795 mijë 45 janë meshkuj dhe 791 mijë e 614 femra.

Këto të dhëna preliminare i ka prezantuar sot Ushtruesi i detyrës së Agjencisë së Statistikave të Kosovës, Avni Kastrati, në një konferencë ku po marrin pjesë kryeministri Albin Kurti, ministra, kryetarë komunash e ambasadorë.

banner

Sipas këtij regjistrimi, mosha mesatare për vitin 2024 është 34.82 (rritje për 4.85 vjet). Raporti gjinor nuk ka ndryshime. Dominojnë meshkujt.

Tani në vend dominon popullsia e grup moshave 16-64 vjet.

Tri komunat me dendësinë më të madhe të popullsisë janë Fushë Kosova, Mamusha dhe Prishtina.

Numri i banesave është 560 mijë. Numri i ekonomive familjare 353 mijë ekonomi familjare, derisa numri mesatar i anëtarëve për familje është 4.5 banor.

Kastrati tha se në komunat veriore të Kosovës: Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë të Veriut, pati bojkotim në masë të madhe. Ai shtoi se rezultatet përfundimtare pritet të publikohen në dhjetor.

“Rezultatet mund të ndryshojnë pak nga të dhënat paraprake”, tha Kastrati.

Ndërkohë, procesi i regjistrimit të diasporës po vazhdon ende, deri në fund të muajit gusht.

Kryeministri Albin Kurti e vlerësoi këtë proces si shumë të rëndësishëm për vendin, duke theksuar ndikimin në vendime.

“Statistikat e mirëfillta janë si GPS për të ardhmen tonë. Me të dhënat e sakta jemi të sigurtë që nuk do ta humbim rrugën e ta gjejmë destinacionin tonë…Pa statistika cilësore edhe vendimet mund të jetë të pasakta e jo cilësore… Ky regjistrim është edhe shembull i bashkëpunimit dhe harmonisë të të gjithë njerëzve që morrën pjesë në këtë proces kaq të rëndësishëm për vendin dhe të ardhmen tonë”, tha Kurti.

Regjistrimi i popullsisë u bë nga 5 prilli deri më 24 maj. Këtë herë, kanë qenë shtatë pyetësorë për plotësim. Në këtë regjistrim, është shtuar edhe pyetësori për dëmet e luftës dhe pyetësori për regjistrimin e bashkëatdhetarëve.

Mbledhjen e këtyre të dhënave, Agjencia e Statistikave e ka arsyetuar me rëndësinë për të bërë politika më të mira për vendin, për ta planifikuar buxhetin dhe investimet, për t’i përmirësuar kushtet e jetesës në vend dhe për investime të huaja.

Sipas ligjit, çdo banor i Republikës së Kosovës detyrohet, që gjatë Regjistrimit, zyrtarit për regjistrim t`ia ofrojë të gjitha të dhënat e sakta në pyetësorët e Regjistrimit të Popullsisë. Për ata që kanë refuzuar të ofrojnë të dhënat apo kanë ofruar të dhëna jo të sakta, do të pasojnë gjobat.

Regjistrimi i fundit i popullsisë në Kosovë është bërë në vitin 2011, sipas të cilit numri i përgjithshëm i banorëve në Kosovë, ishte 1 milion e 739 mijë e 825. Në këtë regjistrim nuk ishin përfshirë banorët e komunave me shumicë serbe në veri të Kosovë – Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut – pasi që në atë kohë ata kishin refuzuar procesin./Gazeta Express/

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy