Shirat e dendur të lidhur me uraganin Beryl dhe stuhinë e mëparshme tropikale Alberto, kanë bërë që të paktën 200 krokodilë të hyjnë në zonat urbane në shtetin verior meksikan të Tamaulipas, përballë Teksasit.
Deri më tani, autoritetet thonë se kanë kapur dhe zhvendosur shumë nga zvarranikët e mëdhenj që kur Alberto goditi rajonin në qershor, por uragani Beryl që erdhi më pas, e përkeqësoi sërish situatën.
Shirat e dendur ngritën nivelet e ujit, duke bërë që krokodilët të dalin në qytete si Tampico, Ciudad Madero dhe Altamira. Zyra Federale e Prokurorit të Përgjithshëm për Mbrojtjen e Mjedisit tha se rreth 40 krokodilë të tjerë ishin kapur në qershor dhe u zhvendosën në habitatin e duhur jashtë zonave të populluara.
Problemi doli në dritë, këtë javë, kur përdoruesit e mediave sociale postuan video të disa krokodilëve në zona urbane. Krokodilët janë një specie e mbrojtur në Meksikë, sulmet e tyre janë të rralla, por kanë ndodhur.