Në shqyrtimin gjyqësor ndaj dy të akuzuarve, Arton dhe Nezir Duraku, të cilët akuzohen për shkaktimin e aksidentit dhe mosdhënien e ndihmës për tani të ndjerin F.Sh., dëshmitari Labinot Kelmendi deklaroi se rimorkioja ishte pa regjistrim dhe pa kontroll teknik. Sipas tij, të akuzuarit ishin të vetëdijshëm për këtë dhe morën përgjegjësi për veprimet e tyre.
Këto deklarime Kelmendi i ka dhënë në shqyrtimin gjyqësor pranë Gjykatës Themelore në Pejë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Kelmendi ka thënë se në ditën kritike i akuzuari Arton Duraku ia kishte kërkuar rimorkion për ta marrë ditën e diel një bager të cilin e kishin blerë.
Ai tha se më pas e kishin marrë dhe montuar rimorkion në kamion dhe se ajo rimoriko ishte pa regjistrim, pa kontroll teknike, duke e ditur dhe duke marrë përgjegjësi mbi të i akuzuari Arton Duraku.
Dëshmitari Kelmendi tha se ajo rimoriko kryen ende punë dhe nuk kishte pasur asnjëherë problem me të.
“Ditën e hënë ka pasur me ma kthy në mëngjes ai ma ka kthyer në ora 11-12, e kam thirr me ma kthy s’ma ka çel telefonin. Tha tash edhe pak ta kthej ose hajde mere vet, më pas Neziri më ka thënë se qetash ta sjelli dhe pastaj ma ka pru rimorkion Shpejtim Kelmendi dhe Arton Duraku”, tha dëshmitari Kelmendi.
Fillimisht, prokurori i shtetit, Ersan Qavolli, në fjalën hyrëse tha se gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor do të shihet se të akuzuarit e kishin shkaktuar aksidentin që shkaktoi vdekjen e të ndjerit.
Sipas prokurorit, të akuzuarit nuk i kishin ofruar ndihmë dhe në shqyrtimin e parë e kishin pranuar fajësinë. Sipas tij, tani ata nuk e pranojnë fajësinë dhe nuk ndiejnë keqardhje për veprën dhe pasojën.
Gjatë këtij shqyrtimit prokurori Qavolli tha se kanë për t’u dëgjuar i dëmtuari, dëshmitarët si dhe ekspertët, ku me bindje të plotë thotë se gjykata në fund do të nxjerrë aktgjykim dënues duke shpallur fajtorë dhe dënuar sipas ligjit të dy të akuzuarit.
Fjalën e prokurorit të shtetit e përkrahu edhe përfaqësuesi i të palës së dëmtuar avokati Salih Mekaj, duke shtuar se faktet me të cilat do të ballafaqohen gjatë këtij shqyrtimit gjyqësor me të cilat thotë se e kanë mbështetjen e fortë me provat që janë bashkangjitur në aktakuza tha se faktet janë notore.
Sipas avokatit Mekaj, se vepra penale ishte kryer ne trajtën e dashjes eventuale dhe në këtë drejtim tha se vërteton fakti se i pandehuri Arton Duraku, e kishte drejtuar automjetin pa patentë shofer për një kohë të gjatë dhe nga lista e evidencës penale, rezulton se ky nuk ishte rasti i pare i shkeljes së ligjit të trafikut.
Në fjalën hyrëse i dëmtuari Enver Shabaj, thotë se ai nuk e di se ku saktësisht i kishte vdekur djali i tij, në afërsi të shtëpisë së tij në fashtin Nabërgjan, apo në Jashanicë të Klinës. Sipas tij, në video-incizim shihet se të jetë një atentat ku lëvizjet e shumta të akuzuarve për 3 minuta lind dyshimi se pas aksidentit të akuzuarit sipas të dëmtuarit Shabaj, kishin marrë vendim që t’ia mbysnin djalin për arsye që të mos tregon të vërtetën.
Ai kërkoi nga gjykata dhe prokuroria që veprën ta ricilësojnë në vrasje të rëndë pasi që ka elemente të mjaftueshme që e cilësojnë si një vrasje mizore dhe ikje nga vendi i ngjarjes në mënyrë dinake.
Tutje, mbrojtësi i të akuzuarit Arton Duraku, avokati Shefqet Ibrahimi tha se i mbrojturi i tij së bashku me prindin e tij nuk e mohojnë aksidentin , kanë dhimbje për humbjen e jetës së të ndjerit por nuk pranojnë kualifikimin e veprës penale që i njëjti ka vepruar me dashje.
Ai tha se i mbrojturi i tij ka kërkuar falje, aksidentin e pranon që të ketë ndodhur por jo sipas kualifikimit dhe cilësimit të veprës penale sipas aktakuzës dhe në fund tha se nuk do të mund të vërtetohet asnjë veprim i të mbrojturit të tij për mosdhënie të ndihmës së viktimës.
Më pas, mbrojtësja e të akuzuarit Nezir, avokatja Belkize Berisha, tha se sa i përket aktakuzës së prokurorisë, mbrojtja konsideron se e njëjta është e paqëndrueshme për faktin se me asnjë provë që gjendet në shkresa të lëndës nuk është vërtetuar se i mbrojturi i saj ka kryer veprën penale e cila i vihet në barrë.
Ajo tha se me provat që i posedon prokuroria nuk përmbahet asnjë element i qartë që do të vërtetonte se vdekja e tani të ndjerit ka ndodhur në vendin e ngjarjes si pasojë e aksidentit apo si pasojë e mosdhënies së ndihmës.
Sipas saj, pas administrimit të provave do të vërtetohet një gjendje tjetër faktike nga ajo që është përshkruar në dispozitiv të aktakuzës.
I dëmtuari Enver Shabaj, në cilësinë e dëshmitarit tha se ditën kritike e kishte parë në mëngjes se djali i tij vetëm kishte shkuar për në akademinë policore në Vushtrri para orës 6 të mëngjesit, dhe pasi të ketë shkuar në punë kishte harruar telefonin e tij në shtëpi dhe nuk kishte më asnjë informatë nga askush.
Ai tha se si kishte shkuar në punë, të gjithë kolegët tjerë kishin disa veprime më të çuditshme se herëve tjera, duke e pyetur se “çka ka të reja nga ju”, e gjera të tilla, dhe duke ikur nga ai që të mos merrte lajmin nga ta.
“Kom shku në katin e dytë kom kërku prej koleges me ma huazu telefonin që me thirr vllaun tim me ma sjell telefonin në zyre e kom pa që të gjithë kolegët ishin me lot në sy i pyetsha pse jeni kështu dhe më arsyetofshin se gjaja janë me grip”, tha i dëtuari Shabaj.
Më pas ai tha se njëri nga kolegët e tij i kishte thënë se kanë marrë një telefonat shumë të dhimbshme dhe s’ka ku të shkon më rëndë, ai ende ishte duke menduar për shefin e tij se mos i kishte ndodhur diçka në familjen e tij.
Nga reagimet e kolegeve të tjerë ai kuptoi vetvetiu se diçka kishte ndodhur në familjen e tij, dhe kishte marrë veturën për t’u nisur në shtëpi bashkë me një koleg të tij.
“Para se me shku te shpija i thash Xhevdetit nëse ka vdekë Mili vetëm prekma dorën nëse ka vdekë dikush tjetëe thuma me emer, Xhevdeti e ka shtri dorën në veturë në hyrje të Nabërgjanit dha ma ka prek dorën, shejën që e lypa me ma dhanë vetëm për F. Këtu e kam kuptuar se ka vdekë”, tha i dëmtuari Shabaj.
Ai tha se fillimisht e kanë kuptuar se ka qenë vetaksident sipas zëdhënësit të policisë, por pas disa orëve e ka kuptuar nga rrjetet sociale se cili ishte kamioni i cili kishte shkaktuar aksidentin dhe një ditë më pas kishte kuptuar se kush kishin qenë ata.
Sipas dëshmitarit i akuzuari Nezir i kishte kërkuar që të shkonte në varrim, duke i thënë se ndjen keqardhje për rastin dhe se djali i tij kishte qenë vetëm në kamion dhe se kamioni kishte qenë me defekt.
I dëmtuari Shabaj tha se kishte menduar që këtë punë ta kryejë ditën e varrimit dhe t’ia fali gjakun aty për aty, mirëpo me pas kishte kuptuar se edhe i akuzuari Nezir kishte qenë aty, dhe se ngjarja kishte rrjedh ndryshe.
Në gjykimin e parë dy të pandehurit ishin dënuar me 15 vjet burgim (së bashku) nga Gjykata Themelore e Pejës.
Vendimin e shkallë së parë e kishte e kishte vërtetuar edhe Gjykata e Apelit, por Gjykata Supreme, kishte miratuar kërkesat për mbrojtje të ligjshmërisë të të dënuarve Duraku ashtu që aktgjykimi i Themelores, dhe ai i Apelit ishin anuluar dhe çështja ishte kthyer në rigjykim të shkallës së parë.
Ndryshe, në seancën e 3 prillit 2023, dy të akuzuarit Arton dhe Nezir Duraku, e pranuan fajësinë për veprat penale që iu viheshin në barrë.
Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 2 mars 2023, nga Prokuroria Themelore e Pejës, thuhet se i pandehuri Arton Duraku, më 21 nëntor 2022, në fshatin Jashanicë të Komunës së Klinës, duke shkel ligjin mbi trafikun publik i shkakton vdekjen, tani të ndjerit F.Sh.
Sipas aktakuzës, derisa i pandehuri, pa patentë shofer po drejtonte kamionin e markës “Mercedes Atego” i cili ishte i pa regjistruar dhe jo i rregullt teknikisht, me të arritur fshatin e lartcekur, drejtimi Skenderaj – Klinë, nuk e përshtat shpejtësinë e lëvizjes në raport me kushtet e rrugës dhe e tejkalon atë nga 50km/h sa ishte e lejuar në mbi 90km/h dhe kalon në të majtë në shiritin e kundër qarkullues, ku po qarkullonte me automjetin e tij të markës “Opel” i ndjeri F.Sh., ku me pjesën e parë të anës së majtë të rimorkios e godet automjetin “Opel” në pjesën e parë ballore të anës së majtë, pikërisht në pjesën ku ndodhej viktima, i cili nga lëndimet e pësuara si rezultat i aksidentit, ndërron jetë.
Sipas akuzës, me këtë thuhet se i pandehuri Arton Duraku ka kryer vepër penale “Rrezikimi i trafikut publik” nga neni 370 par. 5 lidhur me par. 1 te KPRK-së.
Ndërkaq, tutje në aktakuzë thuhet se, në vendin dhe kohën e lartcekur, i pandehuri Arton, si ngasës i kamionit “Mercedes Atego”, nuk i ofron ndihmë personit tjetër i cili është lënduar në aksidentin e trafikut të shkaktuar me kamionin e të pandehurit, nga ku edhe rezulton me vdekjen e viktimës F.Sh, ku pas aksidentit të përshkruar, ai e ndalon kamionin dhe së bashku me prindin e tij të pandehurin Nezir Duraku, dalin nga kamioni afrohen afër viktimës por nuk i ofrojnë ndihmë dhe largohen nga vendi i ngjarjes, gjersa viktima ndërron jetë.
Dhe me këtë thuhet se i pandehuri ka Arton Duraku ka kryer edhe vepër penale “Mosdhënia e ndihmës personit të lënduar në fatkeqësinë e trafikut publik” nga neni 374 par. 3 të KPRK-së.
Ndërsa, të pandehurin Nezir Duraku, aktakuza e ngarkonte se në ngjarjen e përshkruar si më lart nuk i ofron ndihmë personit tjetër, jeta e të cilit është ndodhur në rrezik të drejtpërdrejt edhe pse këtë ka mundur ta bëjë pa rrezik të madhë për vete apo tjetrin.
Tutje, thuhet se pasi i pandehuri Arton Duraku, shkakton aksidentin e trafikut me kamion ku i pandehuri Nezir ishte pasagjer në të, dalin nga kamioni, afrohen afër viktime, por nuk i ofrojnë ndihme dhe largohen nga vendi i ngjarjes, gjersa viktima ndërron jetë.
Me këtë rast thuhet se i pandehuri Nezir Duraku ka kryer vepër penale “Mosdhënia e ndihmës” nga neni 188 par.4 i KPRK-së.