Ndonëse është zëvendësministër i Drejtësisë, Blerim Sallahu duket se nuk i njeh mirë ligjet që kanë të bëjnë me fushën e përgjegjësisë së tij. Duke u përpjekur të shfajësojë Qeverinë Kurti nga përgjegjësia për ikjen e dy të burgosurve nga burgjet, ai sot ka thënë se të burgosurit nuk janë arratisur, por janë larguar nga burgu.
Tentimi i zëvendësministrit Sallahu për të zëvendësuar termin “arratisje” me fjalën “largim”, ka nxitur reagime të shumta në vend. Kjo është bërë sebep që njohësit e fushës juridike dhe politike ta tallin Sallahun.
Avokatë kanë qenë ata që ia kanë rikujtuar Sallahut se termi që ai e ka përdorur nuk qëndron.
Ata kanë bërë me dije se ligjet në Kosovë e njohin vetëm termin “arratisje”.
Në një prononcim për gazetën Nacionale, avokati Ardian Bajraktari ka thënë se termi i zëvendësministrit nuk haset as në Ligjin për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale e as në Kodin Penal të Republikës së Kosovës.
Ai ka bërë me dije se arratisja është vepër penale.
“Sa i përket çështjes, arratisje apo largim, një terminologji e tillë (largim) nuk haset as në Ligjin për ekzekutimin e sanksioneve penale e as në Kodin Penal. Referuar Kodit tonë penal, përkatësisht nenit 397, Arratisja e personit të privuar nga liria, është vepër e veçantë penale, nen ky i cili në paragrafin 1 thekson se: Kushdo që arratiset nga institucioni ku gjendet në mbajtje në bazë të vendimit të ligjshëm mbi privimin nga liria, dënohet me burgim deri në tre (3) vjet burgim”, ka thënë Bajraktari.
Ai ka vlerësuar se arratisja konsiston në largimin e një personi nga institucioni ku gjendet për ta vuajtur dënimin.
“Pra, arratisja, përveç se është vepër penale, ajo konsiston në largimin nga institucioni ku gjendet në mbajtje në bazë të një vendimi të ligjshëm mbi privimin nga liria. Pra, kryerje e kësaj vepre penale është ikja apo largimi i personit që është i privuar nga liria me vendim gjyqësor”, ka shkruar Bajraktari.
Të njëjtën gjë e ka thënë edhe avokati tjetër, Xhevdet Smakiqi.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se Sallahu nuk merr vesh nga fusha e drejtësisë.
“Ligji nuk njehë largim te personit te privuar nga liria qe gjendet ne vuajtje te denimit apo ne pritje te denimit por vetem arratisje! Ne nenin 397 te Kodit Penal te Republikes se Kosoves (KPRK-së) përshkruhen veprimet konrekte se si kryhet vepra penale e arratisjes se personit te privuar nga liria. Prandaj Zv.Ministri i vajit ne Tepsi nuk merr vesh nga . Kodi Penal nuk njehë veper penale te largimit nga Instituconi Korrektues dhe as veper penale te largimit nga Burgu te personit ne vuajtje te denimit me akgjykim te formes se prerë dhe ne pritje te denimit me vendim te ligjeshem te gjykatës”, ka shkruar Smakiqi.
Çka tha Sallahu?
Në një konferencë për media, zëvendësministri Sallahu ka thënë se dy të burgosurit e fundit që janë larguar nga burgjet e Kosovës, nuk janë arratisur, por janë larguar.
Sipas tij, ikjet prej burgjeve të tipit të hapur nuk mund të konsiderohen arratisje.
Sipas tij, një veprim i tillë është largim.
“Përkundër të arriturave dhe punës së vazhdueshme, këto ditë në njësi të tipit të hapur janë larguar dy të burgosur, të njëjtit kanë qenë shfrytëzues të vikendit, më lini të theksoj se në Republikën e Kosovës kemi dy tipe të institucioneve korrektuese, tipe të mbyllura me siguri të lartë, si dhe tipe të hapura ku të burgosurit kanë të drejta dhe privilegje të shumta. Pra për këtë arsye, largimi nga institucioni i mbyllur konsiderohet arratisje, ndërsa largimi nga institucioni i hapur nënkupton largim.”, ka thënë Sallahu.
Ai nuk është ndalur me kaq. Numri dy i drejtësisë ka paralajmëruar se edhe në të ardhmen mund të ketë largime të tilla.
“Është me rëndësi se largime nga qendrat e tipit të hapur ka pasur edhe në të kaluarën, e mund të ketë edhe në vazhdimësi pasi këto institucione nuk u nënshtrohen masave të larta të sigurisë pasi është realizimi i programeve avancuese ndaj të të burgosurve”, është shprehur Sallahu.