Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis paralajmëroi sërish Maqedoninë e Veriut se mosrespektimi i marrëveshjes së emrit mes dy vendeve do të rrezikojë rrugën e Shkupit drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Gjatë një konference për shtyp në margjinat e samitit të NATO-s në Uashington, Mitsotakis trajtoi shqetësimet e gazetarëve grekë për retorikën e përdorur nga kryeministri i Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe zyrtarë të tjerë të lartë.
Sipas Kathimerinit, këta zyrtarë kanë shmangur përdorimin e emrit kushtetues të vendit, duke e quajtur thjesht “Maqedoni”, duke shkelur kështu Marrëveshjen e Prespës të vitit 2018.
“Marrëveshjet duhet të respektohen, këtë e theksova dje në seancën plenare të NATO-s. Unë besoj se të gjithë aleatët tanë e kuptojnë këtë. Ne duam që Maqedonia e Veriut të ndërmarrë hapa drejt integrimit evropian, por kjo kërkon respektimin e ligjit ndërkombëtar dhe marrëveshjeve të nënshkruara nga vendi”, tha Mitsotakis.