Punimet në rrugën “Lah Nimani”, në qendër të Mitrovicës po vazhdojnë edhe më shumë se një vit pas fillimit të realizimit të projektit. Banorët ankohen se si rezultat, është bllokuar në tërësi lagjja.
Në fund të muajit mars të vitit të kaluar kishin nisur punimet, por një vit pas, ende nuk është e lirë për qarkullim
Bëhet fjalë për një prej rrugëve me rëndësi thelbësore për qendrën e Mitrovicës së Jugut, të emërtuar sipas boksierit Lah Nimani.
Megjithëse ishte pritur shumë vite për fillimin e punimeve, situata tani është bërë e padurueshme për banorët e saj.
“ Na pengon shumë se edhe si banorë edhe si biznese na pengon mjaft shumë. Është ajo pjesa në fund që është largu edhe pasi është shtru. Po na pengon shumë pasi nuk ka as qarkullim këtu, është blloku komplet mahalla këtu,” ka thënë banori, Vullnet Shyti
“ Met tregu drejt, boll po na pengon zhurma, boll po na shqetëson se që një vit jam këtu, prej atëhershit është qashtu,” tha një tjetër banor, Selahedin Miremi.
Derisa ekipi i televizionit ka qenë aty, për t’i parë nga afër punimet në terren doli edhe Drejtori i Drejtorisë për Shërbime Publike dhe Infrastrukturë, Granit Tmava.
Por Tmava, nuk ka pranuar të prononcohet për punimet e as për largimin e asfaltit të shtruar pak ditë më herët.
Përgjigjet, Tmava ka referuar të merren tek postim i tij në rrjete sociale, ku ishte arsyetuar se shkak për largimin e asfaltit, ishte mungesa e cilësisë, dhe qëllimi i komunës që investimet publike të jenë të standaradeve të larta./TV Dukagjini/