Ish-kryediplomati kosovar, Enver Hoxhaj thotë se paramilitarët serbë që në vitin 2016 kishin marrë pjesë në tentim grusht shtetin në Malin e Zi, sot po bëjnë plane për vrasjen e ish-presidentit Milo Gjukanoviq.
Hoxhaj shkroi se “këto ngjarje janë të ndërlidhura”.
“Paramilitarët dhe kriminelët serbë nga veriu i Kosovës luajtën një rol vendimtar në përpjekjen për grusht shteti të vitit 2016 kundër Presidentit Gjukanoviq dhe tani janë të përfshirë në planet e atentatit kundër tij. Këto ngjarje janë të ndërlidhura, duke përfshirë Beogradin dhe Moskën, duke synuar hegjemoninë mbi Malin e Zi”, shkroi Hoxhaj në “X”.
Mediat malazeze raportuan se Gjukanoviq i ka njoftuar autoritetet se ka marrë informacione që ndaj tij po përgatitet një atentat.
RTCG duke u thirrur në burime të afërta me ish-presidentin, shkroi se një ushtarak i huaj nga Kosova e ka informuar atë se një grup i organizuar kriminal nga një vend fqinj dyshohet se po planifikonte të kryente një atentat, në bashkëpunim me shërbimet e sigurisë së një vendi tjetër fqinj.