Pesë kosovarë në burgjet e Serbisë për “krime lufte”, Serbia s’kthen përgjigje për transferimin e tyre

by Nexhat

Pesë shtetas të Kosovës po mbahen në burgjet e Serbisë nën pretendimet se kanë kryer “krime lufte”. Ditë më parë ministrja Haxhiu njoftoi se ka kërkuar nga Ministria e Drejtësisë e Serbisë transferimin e tyre, mirëpo deri tash nuk ka pranuar përgjigje.

Nezir Mehmetaj është arrestuar nga policia serbe në Merdare në janar të vitit 2020, Hasan Dakaj në janarin të këtij viti, Sadik Duraku u ndalua më 17 prill në një pikë kufitare mes Serbisë dhe Kroacisë dhe Tefik Mustafa u arrestua më 1 qershor në Merdare.

banner

Që të katërtit po mbahen në burgjet e Serbisë, përfshirë edhe një kosovar tjetër që u arrestua më 3 korrik, F.K.. Të pestit akuzohen për “krime lufte”.

Dy ditë para arrestimit të këtij të fundit, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, publikoi një letër që ia ka dërguar homologes së saj në Serbi, Maja Popoviq, përmes së cilës ka kërkuar transferimin e qytetarëve të Kosovës që po mbahen në burgjet e Serbisë.

“Javën që lamë pas i kam kërkuar Ministres së Drejtësisë të Serbisë transferimin e qytetarëve tanë të cilët po mbahen në burgjet e Serbisë. Nezir Mehmetaj, Hasan Dakaj, Sadik Duraku dhe Tefik Mustafa duhet kthyer në Kosovë per tu gjykuar drejtë dhe paanshëm nga institucionet e drejtësisë në Republikën e Kosovës”, tha ajo.

Lidhur me këtë kërkesë, Haxhiu nuk ka pranuar ende përgjigje nga Ministria e Drejtësisë e Serbisë.

Këtë për Gazetën Express e ka konfirmuar shefi i kabinetit të ministres Haxhiu, Genc Nimoni.

“Lidhur me pyetjet tuaja, ju informojmë se ende nuk kemi pranuar përgjigje nga Ministrja e Drejtësisë e Serbisë.”

Nimoni tha se ata janë vizituar rregullisht, “mesatarisht një herë në muaj”, nga diplomatët e Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Serbi dhe se janë përcjellë rregullisht seancat gjyqësore.

“Për momentin, në burgjet e Serbisë janë pesë shtetas të Republikës së Kosovës të cilët Prokuroria e Lartë për Krime të Luftës së Beogradit po i ngarkon për krime të pretenduara të luftës ndaj popullsisë jo-shqiptare gjatë luftës në Kosovë të vitit 1999.  Ata janë vizituar rregullisht (mesatarisht një herë në muaj) nga diplomatët e Zyrës Ndërlidhëse të Republikës së Kosovës në Serbi, qendrat ku janë duke u mbajtur në paraburgim, respektivisht, në Qendrën e Paraburgimit të Gjykatës së Lartë të Beogradit, Departamenti për Krime të Luftës, si dhe Burgun Qendror (‘Centralni Zatvor-CZ’) në Beograd, si dhe janë përcjellur rregullisht seancat gjyqësore të zhvilluara në Gjykatën e Lartë për Krime të Luftës së Beogradit.”

Shtetasit kosovarë kanë thënë se nuk i janë nënshtruar ndonjë keqtrajtimi fizik, mirëpo Nimoni shton se ata janë në gjendje të rënduar psikologjike pasi “janë duke u mbajtur në burg pa asnjë bazë ligjore”.

Nimoni ka bërë të ditur se një pjesë e të burgosurve kanë probleme kronike shëndetësore dhe njëri prej ture është në moshë të shtyrë (69 vjeç).

“Nga këto vizita, nga shtetasit e arrestuar është theksuar se nuk i janë nënshtruar ndonjë keqtrajtimi fizik nga autoritetet policore apo të burgut as në momentin e arrestimit apo gjatë mbajtjes në paraburgim, mirëpo, janë në gjendje të rënduar psikologjike pasi janë duke u mbajtur në burg pa asnjë bazë ligjore apo dëshmi për akuzat e pretenduara nga Prokuroria e Lartë për Krime të Luftës së Beogradit. Një pjesë e tyre kanë probleme kronike shëndetësore, sikurse me diabet (në varësi të insulinës) apo me zemër, ndërsa, njëri nga ta është edhe në moshë të shtyre (69 veç), që e bën qëndrimin në kushte të burgut edhe më të rënduar”, tha Nimoni

Nimoni ka thënë se “autoritetet e Republikës së Kosovës, do të vazhdojnë përpjekjet dhe do të përdorin të gjitha mjetet ligjore që shtetasit e Kosovës, të lirohen apo të ekstradohen në Kosovë”.

Çka thuhet në letrën e Haxhiut?

Në letrën që ministrja Haxhiu ia ka dërguar Popoviq thuhet se “Marrëveshja Bazike për Normalizimin e Marrëdhënieve, e lidhur ndërmjet palëve kontraktuese, Republikës së Kosovës dhe Serbisë bazohet në respektin ndaj integritetit territorial dhe parasheh zhvillimin e marrëdhënieve  të mira fqinjësore ndërmjet vendeve tona”.

Sipas saj këto nënkuptojnë edhe bashkëpunim të mirë në çështjet e drejtësisë nga e cila së fundmi përfitojnë qytetarët tanë.

“Nisur nga kjo, po ju drejtohem me kërkesë për transferimin e qytetarëve të Republikës së Kosovës të cilët po mbahen në burgjet e Serbisë mbi pretendimet për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë.”

Haxhiu ka thënë se “pretendimet e tilla dhe çdo veprim pasues ligjor lidhet ekskluzivisht me juridiksionin e vendit ku këto vepra të pretenduara kanë ndodhur”.

“Në këtë drejtim z. Nezir Mehmetaj, z. Hasan Dakaj, z. Sadik Duraku dhe z. Tefik Mustafa, duhet kthyer Republikës së Kosovës për tu gjykuar drejtë e në mënyrë të paanshme, nga autoriteti që është i pajisur me juridiksion të njohur nga e drejta ndërkombëtare publike.”

“Në mungesë të akteve juridike që formalizojnë bashkëpunimin juridik ndërkombëtar në cështje penale ndërmjet dy vendeve tona, por kemi nisur nga obligimet e parapara në Marrëveshjen Bazike si dhe frymën e zhvillimit të marrëdhënieve të mira fqinjësore, ju drejtohem me kërkesën si më sipër.”

Haxhiu i ka shkruar Popoviq se “trajtimi i rasteve të nisura do të bëhet bazuar në Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe legjislacionin nacional në fuqi që siguron garancitë më të larta të mbrojtjes së të drejtave të njeriut”.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy