Profesori i Universitetit Johns Hopkins ka komentuar rreth deklaratës së Presidentes Osmani në VOA shqip që Kosovës i duhen garanci në këmbim të Asociacionit.
Joseph që është niohës i zhvillimeve në rajon, thotë se “mënyra më e mirë për Kosovën që t’i marrë garancitë që i meriton, është t’u ofrojë serbëve të Kosovës garancitë që i meritojnë si qytetarë të Kosovës”.
Sipas Joseph, këto garanci janë të domosdoshme pasi kundërpala e Marrëveshjes Bazë, Serbia, nuk është sjellë me mirëbesim, që nga momenti kur dy vendet “kanë rënë dakord” për aneksin e zbatimit.
Së dyti, sipas Joseph, detyrimet e secilës palë “nuk janë paralele”. “Është Kosova ajo që i kërkohet të bëjë hapin afirmativ për formimin e Asociacionit… Nuk ka asnjë hap paralel, për shembull, të një asociacioni brenda Serbisë për Shqipërinë”, thotë Joseph për Radion Evropa e Lirë
Në vend të kësaj, shton ai, Serbia është e obliguar të mos e kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.
“Por, prioriteti numër një i politikës së jashtme të Serbisë është pikërisht bllokimi i anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare – me fjalë dhe me vepra, thotë ai.
“Kjo është arsyeja përse është thelbësore që BE-ja dhe SHBA-ja të kenë një plan – jo vetëm një shpresë apo përpjekje – për ta avancuar anëtarësimin e Kosovës në NATO para së gjithash, pavarësisht se çfarë bën Serbia”, beson Joseph.
Dhe, arsyeja e tretë përse garancitë janë thelbësore, sipas tij, është fakti se BE-ja “ka treguar pak vullnet” për t’i pranuar përgjegjësitë e veta sipas Marrëveshjes Bazë dhe Aneksit të zbatimit.
“Me marrëveshje duhet themeluar ‘Komitetin e Përbashkët Monitorues’… ‘të kryesuar nga BE-ja’… për monitorimin e zbatimit të saj. Por, BE-ja ikën nga kjo përgjegjësi për të arbitruar”, thotë Joseph
Si fillim, thotë Joseph, kryeqytetet kryesore evropiane, si Berlini dhe Parisi, mund ta sigurojnë Prishtinën se nëse e dorëzon draft-statutin e BE-së për Asociacionin për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese, ajo do t’i ketë votat për anëtarësim në Këshillin e Evropës. BE-ja mund të sajojë, njëkohësisht, edhe një metodë për të aprovuar kërkesën e Kosovës për anëtarësim në këtë bllok, thotë ai