Afër 5 mijë qenë endacakë sillen aktualisht nëpër Prishtinë

by Nexhat

Në kryeqytet aktualisht janë afër 5 mijë qen endacakë të cilët po rrezikojnë qytetarët. Qytetarët po ankohen së vazhdimisht janë të rrezikuar nga kafshimi i tyre si dhe nga ndotja e ambienteve, pasi numri i qenve në hapësira të ndryshme çdo ditë është duke u rritur. Drejtues të Komunës së Prishtinës kanë bërë të ditur së brenda këtij muaji, pritet të fillojë trajtimi i qenve endacakë në qendrën e ndërtuar në Hajvali.

Qytetarët e Komunës së Prishtinës çdo ditë përballën me sulmet që u vijnë nga qentë endacakë e që numri i tyre është shumë i lartë. Njëri nga qytetarët i tha Radio Kosovës së djali i tij është kafshuar nga qentë dhe se që nga ajo ditë, ai nuk ka guxim të dalë vetë nga shtëpia. Ata ankohen se institucionet përgjegjëse nuk janë duke bërë sa duhet dhe se situata është emergjente për sa i përket pranisë së qenve endacakë

banner

“Vazhdimisht jemi të rrezikuar. Mua djalin para një viti e ka kafshuar qeni, ka qenë në park. Djali tash 14 vjet i ka e nuk guxon të shkojë vetëm në ushtrime, në futboll, por duhet ta dërgojmë. Çdo ditë shohim numër të madh të qenve çdo kund si dhe në mbrëmje po bëhen agresivë shumë. Shpesh po janë agresivë. Tash vonë në një mëngjes ishin shumë agresivë dhe gati e kafshuan një qytetar. Nuk ka lagje e as vend në qytet që nuk i sheh ka 4 ose 5 qen. Përveç të rriturve që janë vazhdimisht të rrezikuar, fëmijët janë edhe më shumë të rrezikuar. Kështu që institucionet përgjegjëse duhet të marrin masa më serioze”, deklaroi ai.

Sipas Komunës së Prishtinës, numri i qenve endacakë në këtë komunë është afër 5 mijë.

Këshilltari për informim publik në kabinetin e kryetarit të komunës, Donat Lushaku, në një përgjigje me shkrim për Radio Kosovën tha së këtë muaj pritet fillimi i trajtimit të qenve endacakë në qendrën e ngritur në Hajvali dhe se deri me tani, ka munguar bashkëpunimi i komunave dhe përfshirja serioze e nivelit qendror dhe të tjerëve për përmirësimin e gjendjes.

“Besojmë fuqishëm që këtë muaj do të fillojmë trajtimin e qenve në qendrën tonë, të cilën e kemi ngritur në Hajvali. Kalkulimet mbi qentë në kryeqytet shkojnë nga 4 në 5 mijë qen; Planet tona janë që fillimisht, po besojmë në vjeshtën e këtij viti, të ndërtojmë Qendrën për Evakuim Emergjent, e pas kësaj të ecim para me projektin më të madh të Parkut të Kafshëve; Megjithatë, zgjidhja e problemit të qenve endacakë bëhet vetëm nëse vullneti i mirë i kryeqytetit do të shoqërohej me një vullnet të tillë konkret edhe nga komunat e tjera, sektori jo-qeveritar, qytetarët, si dhe në veçanti përfshirja serioze e nivelit qendror – ndonëse deri më tani nuk e kemi parë vullnetin e asnjërit. Për shembull, niveli qendror nuk ka bërë bash asgjë; pra, edhe pse, edhe nën presionin tonë, është aprovuar strategjia (në letër) në praktikë nuk është ndërmarrë bash asnjë masë”, deklaroi Lushaku.

Së fundi, Komuna e Prishtinës, ka vendosur që në këtë hapësirë të krijojë edhe një fushë emergjente prej 4 hektarësh dhe të ndërtojë një strehimore për qentë e rrugës. Mirëpo, kjo gjë është kundërshtuar menjëherë nga banorët e Hajvalisë. Sipas tyre, arsyeja pse po e kundërshtojnë ndërtimin e kësaj qendre është së po rrezikohet shkatërrimi i zonës afër shtëpive të tyre

Kryetari i Prishtinës në qershor të 2023, mori vendim që të subvencionohen me nga 50 euro në muaj të gjithë qytetarët që do të adoptojnë qentë endacakë në kryeqytet. Mirëpo, një vendim i tillë nuk e lehtësoi aspak situatën, pasi që nuk u pakësua rreziku nga qentë endacakë dhe se deri më tani rreth 100 qind prej tyre janë adaptuar.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy