Procesi i anëtarësimit në Këshill të Europës ka mbetur pezull që nga maji i këtij viti kur dështoi të hyjë në agjendën e Komitetit të Ministrave. Kushti i vendosur nga disa shtete anëtare, aleate të vendit, që u refuzua nga Kosova vazhdon të mbesë i paplotësuar, ndërsa nuk pati ndonjë mbledhje të jashtëzakonshme të Komitetit të Ministrave, siç u shpresua, se do të kompensonte mundësinë e humbur në maj.
Kosova e mori për punë të kryer anëtarësimin në Këshill të Europës pas votimit entuziast në prill nga Asambleja Parlamentare e kësaj organizate që rekomandoi me një shumicë votash që Kosova ka plotësuar kushtet dhe se meriton të jetë anëtare. Por, një muaj më vonë u zhgënjye kur çështja nuk u procedua tutje në Komitet të Ministrave për shkak të vënies së kushtit për nisjen e themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe nga Gjermania, Franca dhe Italia – tri shtetet e Unionit që janë më të përfshira në procesin e dialogut Kosovë-Serbi.
Meqë rregullorja e përcakton që Komiteti i Ministrave të mblidhet një herë në vit, mundësia e radhës për Kosovën do të jetë në maj të vitit 2025. Sidoqoftë, pas dështimit në maj, Gerald Knaus nga Iniciativa Europiane për Stabilitet, kishte thënë se nëse Kosova e plotëson kushtin e vendosur do të mund të caktohej një takim i jashtëzakonshëm dhe do të vendosej për kërkesën e Kosovës.
Udhëheqësit e Kosovës njoftuan se do të vazhdojnë punën e tyre që synimi i Kosovës për anëtarësim në KiE të bëhet realitet pavarësisht dështimit në maj.
Lituania ka pasuar Lihtenshtajnin në kryesimin e Presidencës së Këshillit të Europës nga maji dhe do mandati i saj zgjat deri në nëntor të këtij viti. Si shtet kryesues, ajo mund ta fusë në agjendë përmes një mbledhje të jashtëzakonshme.
Në qershor, ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, për ta shtyrë çështjen u takua me homologun e saj nga Lituania, Gabrielius Landsbergis.
“Përmbyllja e procesit të anëtarësimit të plotë të Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës pas mbështetjes prej 82% të votave që i dha Asambleja e Përgjithshme anëtarësimit në KiE dhe fuqizimi i bashkëpunimit në rrugën euroatlantike të Kosovës, ishin temat kryesore të takimit që patëm me Ministrin e Punëve të Jashtme të Lituanisë, njëherit, President i Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, Gabrielius Landsbergis. Bashkë me Nënkryetaren e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci dhe Ambasadorin Lulzim Hiseni e uruam Ministrin Landsbergis për marrjen e Presidencës së Këshillit të Evropës dhe shprehëm mirënjohje të thellë për mbështetjen që Lituania i ka dhënë Republikës së Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës”, kishte thënë ajo.
Një ditë më pas, presidentja Vjosa Osmani në urimin për marrjen e postit të ri të presidentit të Zvicrës, Alain Berset, si Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Europës, tha se pret që të punojë me të për të vazhduar përpjekjet për anëtarësim.
“Kosova është e përkushtuar fuqishëm për anëtarësimin në CoE – një anëtarësim që jo vetëm do të ishte një fitore për të drejtat e njeriut në Kosovë, por edhe një fitore për kontinentin tonë dhe vlerat mbi të cilat ai qëndron fuqishëm. Kosova anëtarja e 47 e CoE është një synim që do të vazhdojmë ta ndjekim pa pushim. Pres të punojmë së bashku për ta bërë këtë realitet!”, kishte thënë Osmani.
Në anën tjetër, qëndrimi i Kosovës për Asociacionin mbetet i pandryshuar.
Së fundi ishte kryeparlamentari Glauk Konjufca që shpalosi pikëpamjen e Qeverisë së Kosovës për zbatimin e marrëveshjes së dakorduar me Serbinë në Bruksel e Ohër, pika shtatë e së cilës flet për Asociacionin.
Konjufca tha se derisa nuk respektohen parimet e marrëveshjes nga ana e Serbisë nuk mund të ketë “hedhje të hapit” nga ana e Kosovës për asnjërën pikë të marrëveshjes.
“Serbia ka bërë shkelje të marrëveshjes sa i përket pengimit të Kosovës në KiE. Në këtë interpretim të marrëveshjes, Kosova ka të drejtë. Nuk mund të kesh barazi sovrane mes shteteve, kur Bërnabiq në cilësinë e kryeministres i dërgon letrën për të zhvlerësuar marrëveshjen… fakti që Serbia po i shkel të gjitha këto parime që i përmenda, kjo na jep neve të drejtë që të mos të mund ta hedhim hapin tjetër për të gjitha pjesët e kësaj. Ju e keni e dëgjuar Asociacionin që po thonë. Asociacioni është pika e shtatë e kësaj, ai mund të ketë afat. Por, Asociacioni nuk është parim”.
Ndërkaq, kryeministri Albin Kurti vazhdon të këmbëngulë se Asociacioni nuk mund të mbivendoset nga pikat e tjera të marrëveshjes.
Në anën tjetër, në Bruksel nuk pati rezultate nga takimet e organizuara nga BE mes kryeministrit Kurti dhe presidentit serb Vuçiq për të lëvizur në drejtim të zbatimit të marrëveshjes