Temperaturat e larta në vendin tonë kanë tendencë të jenë faktor i shumë rreziqeve sa i përket furnizimit të qytetarëve me ujë të pijshëm.
Arjeta Mjeku, zëdhënëse e Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina” tha në emisionin “Mirëmëngjesi Kosovë” në RTK se niveli i ujit në liqene si Batllava dhe Batovci janë në gjendje të mirë, ku nuk ka ndonjë reduktim të planifikuar ende për qytetarët.
“Ditën e djeshme kemi pasur disa ankesa nga lagjja Mati 1, rruga ‘Muharrem Fejza’, nga rruga ‘C’, mirëpo, duhet të jetë e ditur se ne nuk jemi duke aplikuar reduktime të ujit të pijshëm””, tha ajo.
Gjithashtu, për përdorimin e ujit nga ana e qytetarëve Mjeku kërkon që ujin e pijshëm ta përdorin në mënyrë sa më racionale.
“Disa njerëz e keqpërdorin siç ka ndodhur ditëve të fundit, kemi hasur në shumë kyçje ilegale, ku kyçjet ilegale më së shumti e rëndojnë furnizimin me ujë të pijshëm. Ujin duhet ta përdorim për ta pirë dhe për higjienë, jo për të ujitur lule” shtoi Mjeku për RTK.
Sa i përket çështjes së ankesave të qytetarëve Mjeku tha se qytetarët të cilët kanë ndonjë shqetësim lidhur me ujin e pijshëm, mund të drejtohen tek numri:0800/ 9000 9.
Tek disa pika të cilat ka më shumë nevojë për ujë të pijshëm, sipas Mjekut, do të ndërtohen rezervarë të rinj.
“Ndërtimet e reja duhet ta kenë parasysh ndërtimin e rezervarëve, pasi që nuk është humane disa lagje të kenë ujë të pijshëm dhe disa jo””, tha zëdhënësja e KRU “Prishtina”,
Sipas saj, keqpërdorimi dhe mos furnizimi me ujë tek qytetarët është temë e ndjeshme që kërkon trajtim të duhur nga institucionet dhe qytetarët