Tashmë po binden të gjithë e sidomos argjentinasit si dhe populli zikaltër i Interit: Lautaro Martinez është për “Topin e Artë”.
Meritë edhe e triumfit në Kupën e Amerikës, ku u shpall kampion me Argjentinën dhe golashënues i saj. Kështu i vuri pikat një sezoni të jashtëzakonshëm që vinte nga fitorja e Serisë A dhe e Superkupës së Italisë me Interin.
Gjithashtu arriti që të shpallej lojtari më i mirë i kampionatit dhe golashënuesi më i mirë i turneut.
Në “X” argjentinasit pyesin dhe trumbetojnë me të madhe që Lautaro Martinez është për “Topin e Artë”. Sigurisht që në këtë nismë janë të mbështetur edhe nga tifozët zikaltër.
Sigurisht që në realitet kjo gjë ka shumë pak shanse të ndodhë, pasi të tjerët janë shumë herë më të avantazhuar sesa kapiteni i Interit. Shumë të tjerë si Rodri, Vinicius apo Bellingam janë kandidatët kryesorë, edhe pse argjentinasi do të ishte i fituar nëse do të zinte një vend në “top 3”. Por misioni kryesor i tij është që të arrijë në “top 5”.
Lautaro Martinez ka luajtur 44 ndeshje me fanellën zikaltër dhe 10 me fanellën e Argjentinës. Ai ka nisur si titullar 35 të tilla. Sezoni i gjatë i Lautaro Martinezit u mbyll me kurorën e Kupës së Amerikës.
Ai vazhdon të koleksionojë trofe vit pas viti dhe të bëhet një lojtar i rëndësishëm, madje të konsiderohet si një prej sulmuesve më të mirë në botë për momentin. Sigurisht që shkallët nisi t’i ngjisë pak nga pak duke fituar hierarkinë e duhur.
Kur mori shiritin e kapitenit në kampin zikaltër pas Handanoviçit mori mbi shpatulla edhe të gjithë skuadrën. Madje ai kishte edhe bekimin e tifozëve dhe të trajnerit Simone Inzagi. Menjëherë sapo të kthehet në Milano duhet që të rinovojë kontratën dhe të marrë rrogën që kërkonte, afro 10 milionë euro.
Lautaro do të bëjë 27 vjeç në fundin e gushtit. Për momentin ka arritur maturinë sportive, por edhe atë personale.
Martesa me Agustinën, fëmijët Nina dhe Teo dhe vendimi për të jetuar në Milano e kanë ndihmuar. Mungonte vetëm “shenjtërimi” në kombëtare, sepse pavarësisht Botërorit të fituar në Katar ai nuk ishte protagonist.
Luajti vetëm 2 ndeshje si titullar edhe në Kupën e Amerikës, por aq mjaftuan për të vënë firmën e tij në 4 nga 6 në total.
Ai u shpall lojtari më i mirë i turneut dhe i dhuroi alegrinë një kombi të tërë. Lautaro ndoshta e di që nuk është për “Top të Artë”, por kështu e konsiderojnë zikaltrit dhe duhet të ndihet i lumtur me ecurinë e tij fantastike.