Një vit pasi PS mori drejtimin e Shkodrës, qeveria po mendon për realizimin e vizionit që pritet sipas tyre të zhvillojë kryeqendrën e veriut. Korridori blu, tha kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili do të lidhë Shkodrën me qytetet apo zonat e tjera, do të shkurtojë distancën e udhëtimit nga ky qytet në Tiranë apo edhe më poshtë deri në jug.
“Sfida për ndërtimin deri në Murriqan të Korridorit Blu i cili tanimë e ka një segment të përfunduar dhe të prekshëm për të gjithë në aksin Thumanë-Kashar, por që do të vazhdojë me segmente të tjera që do lidhin praktikisht Balldrenin me Milotin, Milotin me Murriqanin dhe sigurisht edhe pastaj Balldrenin me Thumanën. Koha e lidhjes së Shkodrës me Tiranën, brenda kësaj dekade do të jetë rreth 40-45 minuta, ndërkohë që koha e lidhjes së Shkodrës me jugun poshtë do të jetë sa ç‘është sot koha e lidhjes me Tiranën, pra do të mund të shkohet deri në Vlorë për 2 orë.”
Duke ju përmbajtur premtimeve elektorale për zhvillimin e Shkodrës dhe angazhimin e tij personal për këtë plan, kryeministri Rama vuri në sfidë publike kryebashkiakun socialist të Lezhës, i cili sipas tij ka hyrë në një garë që nuk mund ta fitojë.
“Do sfidohet edhe me shumë Pjerin Ndreu në Lezhë që ka kaq kohë që përpiqet ta kthejë Lezhën në një qendër më të rëndësishme se Shkodrën. E ka shumë më të vështirë, por megjithatë jam i bindur se duke parë nga Shkodra, do mësojë edhe do i çojë më tutje edhe planet e veta ambicioze.”
Investimet publike dhe ato private në Shkodër janë pjesë e vizionit të socialistëve për të rilindur siç e quan Rama një qytet që është qeverisur prej 30 vitesh nga demokratët, raporton A2Cnn