Shqetësimet kryesore që lidhen me qëndrimin në diell dhe ekspozimin ndaj temperaturave të larta sidomos për gratë shtatzëna janë: enjtja e këmbëve, hipotensioni, djersitja e shtuar, ndjesia e lodhjes, pagjumësia etj.
Ndaj gjatë kësaj periudhe mbani parasysh disa këshilla praktike:
Plazhi dhe banjat e diellit
Këshilla kryesore mbetet shmangia e qëndrimit në diell dhe në temperatura të larta. Gjatë shtatzënisë toleranca e organizmit është më e ulët ndaj temperaturave të larta.
Ndaj shmangni daljen në plazh në pikun e nxehtësisë, përdorni kremra të lëkurës me faktorë të lartë mbrojtës, përdorni veshje të pambukta me ngjyrë të çelët, përdorini kapele të mëdha.
Nëse mendoni se qëndrimi në çadër e ul rrezikun e ekspozimit nga dielli në një përqindje të lartë, atëherë gaboheni. Kjo është pjesërisht e vërtetë, ndaj është më e këshillueshme që gratë shtatzëna të qëndrojnë nën hijen e pemëve për të qenë më shumë të mbrojtura.
Enjtja e këmbëve, ndjesia e fryrjes
Megjithëse enjtja e këmbëve dhe ndjesia e fryrjes janë të pranishme gjatë shtatzënisë pavarësisht stinës, këto shqetësime janë më të shprehura gjatë stinës së verës. Për të reduktuar këto shqetësime do t’ju sugjeronim: veshjen e këpucëve komode, evitimin e mbajtjes së unazave, aplikimin e masazheve të lehta, madje përdorimin e kremrave që mund të aplikohen në gjymtyrët e sipërme për të lehtësuar këtë problem. Çdo mbrëmje mund të bëni banjë të këmbëve me ujë të ftohtë, duke shtuar në ujë kripë të jodizuar ose sodë buke.
Tensioni i ulët dhe humbja e kripërave minerale
Gjatë kësaj periudhe, pasi të konsultoheni me mjekun tuaj, mund të merrni elemente minerale përmes integratorëve ushqimorë të veçantë.
Shtoni sasinë e ujit që konsumoni gjatë ditës, sasi që duhet të jetë të paktën 1.5-2 litra në ditë.
Evitoni ushqimet pikante dhe ushqimet që ngadalësojnë tretjen dhe që shtojnë ndjesinë e lodhjes apo të fryrjes. Preferoni frutat dhe ushqimet lehtësisht të tretshme nga organizmi.
Nëse keni mundësi të largoheni nga qyteti, është e preferueshme që periudha e verës të kalohet në zona kodrinore dhe rurale, ku temperaturat janë më të ulëta dhe lagështia e ajrit po ashtu.
Vishni rroba të lehta, të prodhuara nga fibra natyrale, për të mundësuar transpirim më të mirë të lëkurës.