Në seancën fillestare të mbajtur të mërkurën, në Gjykatën Themelore në Gjakovë, të akuzuarit Xhavit Gashi, Fatmir Gashi, Kastriot Gashi, Asdren Gashi, Naim Gashi, Dardan Krasniqi, Labinot Krasniqi, Qendrim Krasniqi dhe Arsim Morina, u deklaruan të pafajshëm për veprat penale “Vrasje e rëndë”, “Vrasje e rëndë në tentativë” në bashkëkryerje, “Pjesëmarrje në rrahje” dhe “Lëndim i lehtë trupor” në bashkëkryerje.
Ndërsa, për veprën penale armëmbajtje pa leje, të akuzuarit Xhavit dhe Asdren Gashi e pranuan fajësinë
Deklarimin rreth fajësisë, nëntë të akuzuarit e bën pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Ardita Beqiraj-Hyseni, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Në këto rrethana, kryetari i trupi gjykues Sulltan Dobraj pranoi fajësinë e bërë nga ana e të akuzuarve Xhavit dhe Asdren Gashi, duke shtuar se sanksionit penal ndaj tyre do të bëhen me shpalljen e aktgjykimit përfundimtar të kësaj çështje penale.
Paraprakisht, gjykatësi Sulltan Dobraj bëri të ditur se i pandehuri Naim Gashi është hequr nga pika e aktakuzës ku është i bashkë-akuzuar për “Vrasje të rëndë në tentativë”, dhe mbetet i akuzuar vetëm për veprën penale “pjesëmarrje në rrahje”, gjë për të cilën prokurorja Beqiraj-Hyseni kishte thënë se është gabim teknik dhe se për këtë janë njoftuar palët me kohë përmes email-it.
Ndërsa, gjykatësi Dobraj tha se për këtë seancë i pandehuri Arsim Morina, është sjell për seancën e sotme nga qendra e paraburgimit, për të cilën është caktuar paraburgimi më 14 korrik 2024, me arsyetimin se seancën e kaluar gjykata e ka pritur dhe i njëjti nuk kishte ardhur andaj, për këtë gjykata kishte marrë masa.
Më pas për të akuzuarit, Fatmir, Kastriot dhe Asdren Gashi, mbrojtësit e tyre Shpresa Bakija, Alban Makolli dhe Albana Kelmendi kërkuan që të njëjtëve t’iu ndërpritet masa e arrestit shtëpiak, me arsyetimin se është ngritur aktakuza dhe kanë pushuar kushtet ligjore të parapara me dispozitat e kodit te procedurës penale dhe se të njëjtit janë mbajtës të familjeve
Lidhur me këtë, prokurorja Beqiraj-Hyseni e kundërshtoi propozimin nga mbrojtësit e të akuzuarve me arsyetimin se ekziston akoma rreziku i ikjes nga të pandehurit duke marrë parasysh faktin se për çka akuzohen, dhe për faktin se raportet mes dy familjeve Gashi dhe Krasniqi janë tejet te acaruara.
Lidhur me propozimet e mbrojtësve të lartcekur, gjykatësi Dobraj për këtë tha se do të vendos jashtë kësaj seance.
Ndërsa për të akuzuarin Arsim Morina gjykatësi Dobraj tha se sot pas mbajtjes se shqyrtimit fillestar, i ndërpritet paraburgimi.
Në fund, gjykatësi Dobraj i ka njoftuar të akuzuarit lidhur me të drejtën për paraqitjen e kërkesës për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtimin e provave, brenda 30 ditësh.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Gjakovë më 28 qershor 2024 ka ngritur aktakuzë kundër Xhavit Gashi, Fatmir Gashi, Kastriot Gashi, Asdren Gashi, Naim Gashi, Dardan Krasniqi, Labinot Krasniqi, Qendrim Krasniqi dhe Arsim Morina
Në pikën e parë të aktakuzës, Xhavit Gashi akuzohet se më 31 gusht 2023 rreth orës 13:30 në fshatin Balincë, Komuna Malishevë, me dashje ka privuar nga jeta viktimën Sh.K, dhe ka vënë në rrezik jetën e personave të tjerë, ashtu që pas një fjalosjeje dhe sulmi që ka ndodhur po atë ditë ndërmjet të ndjerit Sh.K dhe vëllezërve të tij Labinot, Dardan dhe Qendrim Krasniqi dhe Arsim Morina nga njëra anë, me vëllaun e të pandehurit Xhavit, Tafil Gashi nga ana tjetër, rreth shitblerjes së druve, kur njoftohet për rastin i pandehuri Xhavit, së bashku me vëllezërit e tij Kastrioti, Asdreni e bashkë me ta edhe Fatmiri dhe Naim Gashi, shkojnë tek shtëpia e vëllaut Tafilit dhe pas bisedës me të, pajisen me armë.
Tutje, në aktakuzë thuhet se, sapo vërejnë automjetin e vëllezërve Krasniqi, të pestit dalin me të shpejtë nga vetura dhe shkojnë në drejtim të vëllezërve Qendrim dhe Dardan, duke shtënë me armë në drejtim të tyre. Aty thuhet se i pandehuri Xhavit vëren se tani i ndjeri Sh.K po i afrohet, gjuan me armë “Zoraki” M-906B disa herë në drejtim të tij dhe e godet në regjionin e majtë të kraharorit pikërisht mushkëri dhe zemër, i cili si pasojë e këtyre plagëve të marra ndërron jetë. Po ashtu me këto të shtëna rrezikon jetën e Qendrim, Dardan, Labinot dhe Arsim Morina, pasi që të gjithë ndodheshin afër të ndjerit
Me këtë ngarkohet se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” nga neni 173 par.1 nënpar. 1.5 të KPRK.
Në pikën e dytë të aktakuzës, Xhavit Gashi akuzohet se nga data e pavërtetuar deri më 31 gusht 2023, në fshatin Balincë të Malishevës, ka mbajtur në posedim armën e tipit pistoletë “Zoraki” M-906B me nr.serik 1218, të cilën e ka përdorur si ne dispozitiv numër I, me pastaj e njëjta armë është sekuestruar nga ana e zyrtarëve policor.
Me këtë ai ngarkohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim paautorizuar të armëve” nga neni 366 par.1 të KPRK-së.
Në dispozitivin e tretë të aktakuzës, Xhavit, Fatmir, Kastriot, Asdren dhe Naim Gashi, akuzohen se më 31 gusht 2023 rreth orës 13:30, në fshatin Balincë, , me dashje dhe në bashkëveprim kanë tentuar që t’i privojnë nga jeta të dëmtuarit Dardan dhe Qendrim Krasniqi, që të dy nga fshati Bubavec, Komuna Malishevë, në atë mënyrë që ditën kritike si shkak i një fjalosjeje dhe përleshje në mes të tani të ndjerit Sh. dhe vëllezërve të tij, Labinot, Dardan dhe Qendrim Krasniqi, dhe Arsim Morina nga njëra anë, me vëllaun e të pandehurit Xhavit, dhe Tafil Gashi në anën tjetër, rreth shitblerjes së druve, të cilat dru i kishin sjellur Sh. me vëllezërit e tij tek shtëpia e të pandehurit Xhavit
Me tej në aktakuzë thuhet se të pandehurit dalin me të shpejtë nga vetura dhe shkojnë në drejtim të vëllezërve Qendrim dhe Dardan si në dispozitiv të pikës I të kësaj aktakuze, fillimisht predha e armës kishte goditur xhamin e parë të veturës, e gjatë daljes nga vetura i dëmtuari Dardan me të vendosur dorën e djathtë në veturë goditet me plumb në gishtat e po kësaj dore.
Me këto veprime, në bashkëkryerje akuzohen se kanë kryer veprën penale “Vrasje e rëndë në tentativë” nga neni 173 par.1 nenpar.1.5 lidhur me nenin 28 dhe 31 të KPRK-së.
Në dispozitivin e katërt, Kastriot Gashi akuzohet se nga data e pavërtetuar deri më 31 gusht 2023, në fshatin Balincë ka mbajtur në posedim armën e tipit pistoletë 6-she, të cilën e ka përdorur duke shtënë në drejtim të të dëmtarit Krasniqi, e cila armë sipas të pandehurit pas kryerjes së veprës është hedhur në një lumë në fshatin ku jeton.
Me këtë, ai ngarkohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim paautorizuar të armëve” nga neni 366 par.1 të KPRK-së.
Po ashtu, edhe Asdren Gashi akuzohet se nga data e pavërtetuar deri më 31 gusht 2023, në fshatin Balincë ka mbajtur në posedim armën e tipit “Zoraki” të cilën e ka përdor për të kryer veprën si në piken III të dispozitivit të akuzës, të cilën armë e ka dorëzuar me datë e lartcekur pas prezantimit të video-incizimit të nxjerrë nga AKF, ku i njëjti shihet me armë në dorë
Me këtë, i lartcekuri ngarkohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366 par.1 te KPRK-së.
Sipas dispozitivit të gjashtë, Naim Gashi, më 31 gusht 2023, në fshatin Balincë, Komuna Malishevë, merr pjesë në rrahje që rezulton me vdekjen e tani të ndjerit Sh.K, i pandehuri Naim si djal i axhës së të pandehurëve Gashi, se bashku shkojnë në vendin e lartcekur dhe me tu takuar me Dardan dhe Qendrim Krasniqin, dalin nga vetura dhe pas gjuajtjeve me armë nga të pandehurit Gashi të përshkruar si në pikën III të dispozitivit, menjëherë fillon sulmi në mes të vëllezëreve Krasniqi nga njëra ane dhe vëllezëreve Gashi së bashku me ta edhe i pandehuri Naim nga ana tjetër, ku gjatë kësaj rrahje i pandehuri Xhavit me armë – pistoletë e privon nga jeta tani të ndjerin Sh.
Me këtë, i lartcekuri ngarkohet se ka kryer veprën penale “pjesëmarrje në rrahje” nga neni 187 par.1 te KPRK-së.
Në dispozitivin e shtatë, të pandehurit Dardan, Qendrim Krasniqi dhe Arsim Morina, me datë kohë dhe vendin e njëjtë, si në pikën I të dispozitivit të kësaj aktakuze, me dashje dhe në bashkëveprim i’u shkaktojnë lendime të lehta trupore të dëmtuarëve Xhavit, Asdren, Fatmir, dhe Kastriot Gashi, ku gjatë përleshjes së përshkruar si në pikën I dhe III të aktakuzës, të pandehurit i’u shkaktojnë lëndime të dëmtuarëve.
Me këto veprime në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “lëndim i lehtë trupor” nga neni 185 par.1 nënpar. 1.4 e lidhur me nenin 31 të KPRK-së.