Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz ka qenë e ftuar mbrëmë në emisionin “DPT te Fidani”, ku ka folur edhe për zgjedhjet presidenciale që do të mbahen në nëntor në Amerikë.
Ministrja Gërvalla tha se është çështje e amerikanëve se kë zgjedhin për president, Donald Trump apo Joe Biden.
Sipas Gërvallës, nëse amerikanët vendosin që Trump të zgjidhet president i ShBA-së, atëherë kjo gjë është një çështje e tyre, dhe se Kosova duhet të vazhdoj t’i ndërtojë marrëdhëniet me Amerikën.
“Marrëdhëniet mes Kosovës dhe Amerikës janë të palëkundura dhe do të mbeten të palëkundura për shumë arsye. Amerika e di shumë mirë se cili është partneri më i fuqishëm, partneri i cili më së shumti beson në Amerikën, në vlerat amerikane e në demokracinë amerikane. Nuk duhet t’i japim shumë të drejtë vetës për të folur se kë ata duan të votojnë për president sepse është eksluzivisht çështje e tyre, nëse amerikanët vendosin që Trumpi është presidenti i tyre, atëherë ata e kanë marrë këtë vendim, dhe ne duhet të vazhdojmë t’i ndërtojmë marrëdhëniet tona me Amerikën”, tha Gërvalla në DPT te Fidani.
“Nuk kam asnjë dyshim që kushdo që hyn në Shtëpinë e Bardhë, qoftë Joe Biden edhe një mandat, qoftë Donald Trump, Kosova do ta mbajë partneritetin e fuqishëm”, tha tutje Ministrja Gërvalla, shkruan Reporteri.