Musliu: Grupi i Radoiçiqit vazhdon me ushtrime, në vazhdimësi janë duke planifikuar për sulme

by Nexhat

Kryetarja e Komisioni për Mbikëqyrjen e Agjencisë për Inteligjencë (AKI), Ganimete Musliu, pas raportimit të kryeshefit të AKI-së, Petrit Ajeti, ka deklaruar se grupi paramilitar i terroristit i Milan Radoiçiqit është duke vazhduar ushtrime në disa lokacione të ndryshme dhe se vazhdimisht janë duke planifikuar mundësi për sulme në Kosovë.

Ajo këto deklarata i bëri në një konferencë për media pas raportimit të Ajetit në Komision, ku shtoi se gjendja e sigurisë në veri është e qëndrueshme, ndërsa ajo e përgjithshme “stabile”.

“Grupi terrorist është duke kryer ushtrime në disa lokacione në rrethinën e Novi Pazarit, Kopaonikut dhe Kralevës. Grupi paramilitar dhe terrorist i udhëhequr nga Milan Radoiçiqit vazhdon të jetë i strukturuar, ka mjete të mjaftueshme financiare, ka armë dhe mbështetje nga Beogradi zyrtar. Në vazhdimësi janë duke planifikuar, diskutuar mundësitë për sulme”, ka thënë ajo.

Musliu theksoi se kërcënimi nga Serbia për tensionim të situatës së sigurisë në Kosovë vlerësohet të jetë i lartë dhe në forma të ndryshme, qoftë ato shtetërore apo jo shtetërore.

“Serbia vazhdon të ketë synime agresive ndaj Kosovës. Shërbimet sekrete të Serbisë vijon të kenë si synim cenimin e sigurisë së Kosovës përmes mekanizmave shtetërorë dhe joshtetërorë. Janë rritur aktivitetet hibride, që kanë për qëllim polarizimin e shoqërisë, përhapjen e lajmeve të rreme dhe inskenim të incidenteve. Gjendja e përgjithshme e sigurisë së Kosovës është stabile. Situata në katër komunat veriore është e qëndrueshme. Edhe pse ndërhyrjet dhe përpjekjet e Serbisë për tensionim të situatës së sigurisë janë të vazhdueshme. Kërcënimi nga Serbia dhe organizatat e ndryshme paramilitare dhe terroriste, ku anëtaret e të cilave po strehohen dhe po trajnohen në Serbi, vlerësohet shumë I lartë”.

“Radoiçiq vazhdon bashkëpunimin e afërt me strukturat e sigurisë së Serbisë dhe me udhëheqësit e shtetit dhe vazhdon duke mbajtur kontakte me disa grupe, organizata radikale dhe kriminale me shtrirje rajonale. Ushtria serbe ka rritur praninë e patrullave dhe dronave të saj në kufirin me Kosovën, sidomos nga Zubin Potoku në Leposaviç”, ka thënë ajo.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy