Drejtori i të ashtuquajturës zyre serbe për Kosovë, e ngarkuar për propagandë kundër Kosovës, Petar Petkoviq, ka thënë se për Banjskën janë thënë shumë gënjeshtra, e më e madhja është se Aleksandar Vuçiq është urdhërdhënësi.
Kështu ka reaguar ndaj akuzave të ministrit të Brendshëm të Kosovës, Xhelal Sveçla, se Vuçiq ka qenë i përfshirë drejtpërdrejt në stërvitjen e grupit terrorist që ka kryer sulmin në Banjskë.
“E vetmja dëshmi që ekziston është persekutimi i serbëve nga Kurti dhe Sveçla. Ka shumë gënjeshtra që thuhen për Banjskën, dhe gënjeshtra më e madhe është se Vuçiqi është urdhërdhënësi. Banjska është pasojë e terrorit ndaj serbëve. Dhe Vuçiqi për ju është fajtor sepse ai ruan paqen dhe mbron popullin e vet”, ka shkruar Petkoviq në llogarinë e tij në rrjetin social X.