Analistët kanë deklaruar se ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla duhet të japë përgjegjësi politike për arratisjet e fundit nga institucionet korrektuese.
Hulumtuesi nga Instituti “Musine Kokalari” Belgzim Kamberi, ka thënë se pushteti vazhdimisht krenohet se në Kosovë ka ligj e shtet ligjor, e në të njëjtën kohë për pak muaj ndodhin disa arratisje
Kamberi në “Debat Plus”, tha se kjo e shpërfaq gjendjen e sistemit
“Ka një kohë të gjatë që thuhet se shteti ligjor po funksionin, siguria u kthy në Kosovë… si është e mundshme që përnjëherë, shohim faktikisht përballemi me arratisje, që kanë dosje të rënda penale. E vërtetë që janë raste individuale por këto e shpërfaqin gjendjen e sistemit”, tha ai.
Kamberi tha se kur ka rezultate të mira në sundimin e ligjit ministritë i marrin meritat e policisë kurse për arratisje heshtin.
“Pse kur kemi rezultat në veri i merr meritat në veri, kur kemi situata që e mundim Radojçiqin e Serbinë, e shohim ministrin te Ujmani. Kur ka ndonjë rezultat në luftën kundër krimit merret merita nga politika, s’i lihet policisë. Kur ka lëshim, kur ka arratisje, që e çmitizojnë, miti që u ndërtu… Si është e mundshme që paskemi kaq shumë kontroll, për dy muaj na ikin njerëz me vepra kaq të larta penale. A po funksionon sistemi a po jo?”, u shpreh ai
Analisti Ylli Hoxha ka thënë se dikush duhet të marrë përgjegjësi për ikjen nga burgu të Faton Hajrizit.
“Si pasojë e papërgjegjësisë në institucione ka ndodhur një ngjarje e rëndë. Njerëzit mund të ikin nga burgu. Ligji i Kosovës mund të jetë liberal, por nuk besoj se ka ndonjë ligj demokratik që mund të veprojë siç është vepruar me personin që është dërguar në Smrekonicë. Vendimi për Faton Hajrizin është marrë në vitin 2024 nga një strukturë që drejtohet nga një njeri i vendosur nga Vetëvendosje. Dikush duhet të japë përgjegjësi politike”, ka deklaruar Hoxha
Hoxha thotë se në vitin 2014 pas një ngjarje tragjike në Prishtinë, ku një fëmijë ka humbur jetën në një pus me ujë, Xhelal Sveçla që ishte në krye të inspektoratit ka dhënë dorëheqje morale.
“Edhe situata e ditës së sotme është e tillë që dikush duhet të japë përgjegjësi politike”, ka deklaruar Hoxha
Analisti Imer Mushkolaj thotë se Xhelal Sveçla ka deklaruar publikisht se arrestimi i Faton Hajrizit është çështje ditës apo orësh por ai arrestim nuk ndodhi.
“Për më pak se dy muaj katër persona kanë ikur nga burgjet dhe ju mundoheni ta arsyetoni këtë”, u është drejtuar Mushkolaj dy deputetëve të LVV, Arbër Rexhaj e Enver Dugolli.
Ai tha se Sveçla është ai që duhet të marrë përgjegjësi
“Sveçla duhet të japë dorëheqje”, ka thënë mes tjerash Mushkolaj