I akuzuari Andi Pajaziti është deklaruar i pafajshëm për vrasjen e K.R., më 4 gusht 2023 në lokalin “Bon Vivant” në Prishtinë. Ai tha se veprën e ka kryer në vetëmbrojtje. Ndërsa, për armëmbajtje pa leje, u deklarua fajtor.
Deklarimin rreth fajësisë, i akuzuari Pajaziti e bëri në seancën fillestare të enjten në Gjykatën Themelore në Prishtinë, pas leximit të aktakuzës nga prokurori Menduhi Kastrati, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Më pas, mbrojtësi i Pajazitit, avokati Fanol Krasniqi tha se pranimi i fajësisë për veprën e dytë nga i mbrojturi i tij është bërë në konsultim me ta, duke i ditur edhe pasojat. Andaj, i propozoi Gjykatës aprovimin e saj.
Prokurori Kastrati nuk e kundërshtoi pranimin e fajësisë nga Pajaziti për veprën e armëmbajtjes pa leje, pasi sipas tij është bërë në përputhje të plotë me kushtet që përcaktohen sipas dispozitës së Kodit të Procedurës Penale
Kurse, përfaqësuesi i palës së dëmtuar, Hilmi Shala tha se nuk pajtohet me kualifikimin juridik, respektivisht me veprën penale për të cilën ngarkohet i akuzuari.
“Pala e dëmtuar konsideron se duke pas parasysh veprimet e të ndjerit, Prokuroria veprimet e të pandehurit është dashur t’i cilësojë si “Vrasje e rëndë”, tha Shala, duke kundërshtuar pranimin e fajësisë të bërë nga Pajaziti për faktin se çështja thelbësore është vrasje.
Edhe i dëmtuari Visar Ramadani tha se e mbështet përfaqësuesin e tij.
Më pas, gjykatësi Eroll Gashi tha se janë plotësuar kushtet për pranim të fajësisë, andaj miratoi pranimin e fajësisë së bërë nga i akuzuari Pajaziti për armëmbajtje pa leje, me arsyetimin se është bërë me vullnet të plotë, duke i ditur pasojat dhe benefitet e pranimit të fajësisë.
Kurse, meqenëse për veprën e parë “Vrasje e kryer në gjendje të tronditjes së fortë mendore” i akuzuari u deklarua i pafajshëm, gjykatësi Gashi mori aktvendim se kanë të drejtë deri më 18 gusht të bëjnë kërkesë për kundërshtim të provave dhe hudhje të aktakuzës.
Në anën tjetër, për armëmbajtje pa leje, tha se shpallja do të bëhet pas përfundimit të çështjes penale.
Prokurori Kastrati tha se mbetet pranë propozimit që ndaj të akuzuarit të vazhdohet masa e paraburgimit pasi konsideron se ekzistojnë kushtet për të cilat është caktuar kjo masë dhe se duhet vazhduar masa me qëllim të zhvillimit të suksesshëm të procedurës penale.
Edhe përfaqësuesi i palës së dëmtuar mbështeti propozimin e prokurorit për vazhdimin e masës së paraburgimit ndaj Pajazitit.
“Vdekjen e K., nuk e ka dashtë as Andi”, tha avokati Krasniqi, duke kërkuar që të mbrojturit të tij t’i ndërpritet masa e paraburgimit.
Sipas avokatit Krasniqi, plagët e të akuzuarit kanë qenë të rrezikshme për jetë dhe se ajo plagë do t’i mbetet tërë jetën.
“Edhe ajo plagë është dhe do të mbetet tërë jetën dhe i njëjti për atë plagë do të operohet edhe dhjetëra herë. Rrezik të ikjes për Andin nuk ka sepse edhe Andi është i interesuar të marrë pjesë në gjykim”, tha Krasniqi.
Mbrojtësi i të akuzuarit i propozoi gjykatës që t’i ndërpritet masa e paraburgimit Pajazitit dhe t’i zëvendësohet me një masë të arsyeshme.
Më pas, gjykatësi Gashi mori aktvendim me të cilin refuzoi propozimin për ndërprerjen e masës së paraburgimit ndaj Pajazitit, ndërsa shtoi se mbetet në fuqi vendimi i datës 2 korrik 2024, me të cilin atij i ishte vazhduar paraburgimi.
Prokuroria Themelore në Prishtinë më 21 qershor 2024 ka ngritur aktakuzë ndaj Andi Pajazitit lidhur me vrasjen e 4 gushtit 2023 në lokalin “Bon Vivant”. Pajaziti ngarkohet për veprën penale “Vrasje e kryer në gjendje të tronditjes së fortë mendore” pasi që sipas Prokurorisë nga tronditja që kishte marrë prej tani të ndjerit K.R., i akuzuari pa fajin e tij dhe pa menduar për pasojat e kishte nxjerrë armën dhe kishte shtënë në drejtim të K.R.
Sipas aktakuzës së siguruar nga “Betimi për Drejtësi“, më 4 gusht 2023, rreth orës 23:17 në lokalin “Bon Vivant” në Prshtinë, në të cilin paraprakisht ishte i pandehuri Dukagjin Lekaj i cili gjendet në arrati, së bashku me tani të ndjerin K.R., shkon i akuzuari Pajaziti, të cilin e fton Lekaj që të ulet në tavolinën ku ishte tani i ndjeri.
Aktakuza thotë se pasi që ulet Pajaziti dhe fillojnë të bisedojnë me Lekajn, pas pak fillon të tensionohet situata dhe duke parë që situata po tensionohet, afrohet sigurimi i lokalit Hisni Gecaj, i cili ia kapë dorën e djathtë të pandehurit Lekaj dhe mundohet ta qetësojë situatën, por në këtë moment tani i ndjeri K.R., i cili ishte mbrapa sigurimit, e godet me një shishe në kokë dy herë tani të akuzuarin Pajaziti
Sipas aktakuzës, sigurimi Gecaj vazhdimisht ia mban dorën Lekajt, kurse Pajaziti pas goditjes nga tani i ndjeri e nxjerr armën nga brezi dhe pa i menduar pasojat godet në drejtim të tani të ndjerit K.R.
“…i pandehuri Andi Pajaziti pas goditjes, sulmit nga tani i ndjeri e nxjerr armën nga brezi nga ana e djathtë, për shkak të tronditjes së fortë mendore, pa fajin e tij, pa menduar për pasojat e nxjerr armën nga brezi nga ana e djathtë, shtinë me armë zjarri, me ç’rast godet tani të ndjerin K.R”, thuhet në aktakuzë.
Po ashtu, aktakuza thotë se armën e nxjerr nga çanta edhe i pandehuri Lekaj, gjatë kësaj kohe sigurimi ia mbante dorën duke u munduar t’ia largojë por nuk ka arritur, e Lekaj e kishte armën e drejtuar në drejtim të Pajazitit dhe shtie ndaj tij, duke i shkaktuar të akuzuarit Pajaziti lëndime të rënda në dorën e majtë.
Kurse, thuhet se vdekja e K.R., ka ardhur si pasojë e gjakderdhjes së brendshme dhe të jashtme, e cila ka çuar në shok hemorragjik, këto të shkaktuara nga arma e zjarrit.
Prandaj, për këto veprime Pajaziti po ngarkohet me veprën penale “Vrasje e kryer në gjendje të tronditjes së fortë mendore” sipas nenit 174 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)
Po ashtu, Pajaziti për shkak se në vendin e njëjtë kishte mbajtur në pronësi armën e tipit “Smith” në kundërshtim me ligjin. Andaj, po ngarkohet edhe për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, paragrafi 1 të KPRK-së.
Ndryshe, në këtë rast i ndaluar ishte edhe N.Ll., i dyshuar për veprën penale “Dhënia e ndihmës pas kryerjes së veprave penale”, të cilit më 5 shtator iu caktua masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji. Të njëjtit, pas një muaji nga kjo masë, i është ndërprerë paraburgimi, pasi nuk kishte kërkesë nga Prokuroria për vazhdimin e paraburgimit. Kurse, Gëzim Zakuti dhe Hisni Gecaj, si të dyshuar për përfshirje në këtë rast, më 29 gusht 2023 ishin liruar nga masa e paraburgimit. I dyshuari tjetër për përfshirje në këtë rast, Dukagjin Nikollaj, gjendet në arrati.
Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 5 gusht 2023 njoftoi se të gjithë të dyshuarit për përfshirje në rastin “Bon Vivant”, kanë të kaluar kriminale. Kurse, ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, e ka bërë fajtor sistemin e drejtësisë për vrasjen në “Bon Vivant”.
Lidhur me rastin e 4 gushtit, Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës kishte njoftuar se 17 persona janë lënduar, kurse njëri prej tyre vdiq si pasojë e plagëve të marra. Rasti thuhej se ndodhi si pasojë e një mosmarrëveshjeje mes të pandehurve.
Policia e Kosovës e kishte konfirmuar në orët e para të 5 gushtit se në incidentin që ka ndodhur në një lokal në qendër të Prishtinës ka persona të plagosur me armë zjarri, por edhe nga copat e xhamave