Një polic serb është vrarë dhe një tjetër është plagosur në Loznicë të Serbisë, si pasojë e të shtënave me armë zjarri, ku autor dyshohet të jetë kosovari Artan Hajrizi.
Mediat serbe kanë dalë me detaje se si ka ndodhur rasti. Mediumi serb Nova, raporton me burime se ngjarja ndodhi pas mesnate, kur policët ndaluan një taksi me targa të qytetit të Tutinit që u dukej e dyshimtë, ku ndodheshin dy burra, shoferi dhe pasagjeri.
Sipas raportimeve, Policia ka identifikuar pasagjerët të cilët u janë dukur të dyshimtë dhe pastaj njëri prej policëve i ka kërkuar njërit prej personave në veturë që t’ia tregojë çantën. I njëjti raportohet se ka refuzuar ta bëjë këtë dhe se ka qëlluar në drejtim të policëve.
Në vendin e ngjarjes raportohet se është gjetur pasaporta e Hajrizit e lëshuar nga Republika e Kosovës dhe letërnjoftimi i Gjermanisë
Ndryshe, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka dalë me një reagim kësaj ngjarje.
MPJD tha se përmes Zyrës Ndërlidhëse në Beograd po ndjek nga afër zhvillimet në lidhje “me pretendimet e Ministrit të Brendshëm të Serbisë, Ivica Daçiq për një incident në magjistralen afër Loznicës në Serbi, ku pretendon që ka mbetur i vrarë një polic serb dhe i përfshirë në këtë rast sipas tij është një shtetas i Republikës së Kosovës”.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës tha se do të mbajë të informuar opinionin publik për këtë rast dhe apelon te mërgimtarët dhe qytetarët e Kosovës që të rrisin kujdesin gjatë kalimit nëpër Serbi dhe sipas vlerësimit të situatës të shmangin lëvizjen përmes territorit serb.