Osmani thotë se Serbia dhe Rusia do të vazhdojnë të tentojnë ta destabilizojnë Kosovën dhe rajonin

by Nexhat

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, përsëriti akuzat se Serbia dhe Rusia po vazhdojnë të tentojnë që të destabilizojnë Kosovën, por edhe rajonin.

Osmani këtë deklaratë e bëri pasi mori pjesë në Samitin e katërt të Bashkësisë Politike Evropiane të mbajtur në Pallatin Blenheim, në Mbretërinë e Bashkuar

banner

“Kemi qenë në tryezën, me shumë liderë të tjerë, ku është diskutuar për mbrojtjen e demokracisë dhe luftimin e dezinformatave. Edhe pse shteti ynë nuk ka lejuar asnjëherë influencë ruse apo të forcave të tjera malinje, megjithatë përderisa shteti fqinj, Serbia, përdoret si satelit i Rusisë dhe përderisa edhe vetë fatkeqësisht i takon mentalitetit të shekullit të kaluar, ata do të vazhdojnë të tentojnë ta destabilizojnë jo vetëm shtetin tonë, por edhe gjithë rajonin dhe nëpërmjet kësaj gjithë kontinentin evropian”, tha Osmani.

Osmani, por edhe krerët e tjerë të institucioneve të Kosovës, kohëve të fundit kanë intensifikuar paralajmërimet e tyre se Rusia, përmes Serbisë, po synon të destabilizojë Kosovën.

Vetë Osmani në të kaluarën e ka quajtur Serbinë si “dorë të zgjatur të Rusisë”, e cila po përpiqet të luajë “lojërat e [presidentit rus, Vladimir] Putinit, duke hapur një front të ri ndaj Perëndimit”.

Presidentja Osmani tha se gjatë Samitit në Mbretërinë e Bashkuar u takua me liderë të shumtë evropianë, përfshirë me kancelarin gjerman, Olaf Scholz, me të cilët ka diskutuar për integrimin euroatlantik të Kosovës, për hapat e Kosovës drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës, por edhe si të luftohet ndikimi rus.

Osmani e cilësoi Samitin e Bashkësisë Politike Evropiane si të rëndësishëm, edhe pse tha se nuk është samit formal në kontekstin e vendimmarrjes, por i rëndësishëm pasi në të morën pjesë 46 liderë evropianë.

Gjatë samitit, liderët kanë diskutuar për mbështetjen e Ukrainës, që po përballet me pushtimin e nisur nga Rusia, migrimin, sigurinë energjetike dhe kërcënimin që paraqet Rusia.

Bashkësia Politike Evropiane është lancuar rreth dy vjet më parë.

Takimi i parë u zhvillua në Pragë në vitin 2022, kur Çekia kishte kryesimin e radhës së Bashkimit Evropian; i dyti në Kishinjev të Moldavisë në qershor të vitit 2023, ndërsa i treti në Granadë të Spanjës në tetor të vitit 2023.

Të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor janë pjesëmarrëse të rregullta në Bashkësinë Evropiane Politike, përfshirë Kosovën, pavarësisht se ky forum në të kaluarën u mbajt në dy shtete që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës: Moldavi dhe Spanjë.

Idenë për krijimin e saj e ka përmendur i pari presidenti i Francës, Emmanuel Macron, e pas tij edhe presidenti aktual i Këshillit Evropian, Charles Michel.

Bashkësia Politike Evropiane nuk është një organizatë formale, por shërben si forum, ku së paku një herë në vit liderët e vendeve evropiane mblidhen dhe diskutojnë për çështje të interesit të përbashkët.

Kur ideja është përmendur për herë të parë, ka pasur edhe disa dyshime nëse kjo bashkësi do të shfrytëzohej si alternativë për zgjerimin e BE-së. Por, në BE kanë siguruar se Bashkësia Politike Evropiane, në asnjë mënyrë, nuk ka për qëllim ta zëvendësojë procesin e zgjerimit të BE-së, e as të bëjë gara me organizatat ekzistuese, strukturat apo proceset. /REL

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy