Edhe Kosova preket nga rënia e sistemit kompjuterik në shumë vende të botës

by Nexhat

Bota aktualisht është duke u përballur me probleme kibernetike globale, të cilat kanë vënë jashtë funksionit apo kanë vështirësuar funksionimin e komunikimit dhe rrjedhimisht edhe afarizmin në gjithë botën.

Edhe në Kosovë, Kompania për Furnizim me Energji Elektrike e Kosovës (KESCO), ka bërë të ditur se qysh prej mëngjesit është duke hasur në vështirësi në kryerjen e punëve për shkak të rënies së sistemit kompjuterik

Ajo e ka përmendur që problemet e saj lidhen me problemin që e kanë raportuar shumë kompani në botë, të lidhur me Crowdstrike.

“Për shkak të një kolapsi kibernetik, i cili ka prekur shumë sektorë në shumë vende të botës, ka afektuar edhe #Kosovën ku, nga mëngjesi i sotëm, të gjitha kërkesat tuaja po hasin në vështirësi t’i procesojmë te departamentet përkatëse për shkak të rënies së sistemit të IT-së.

Sistemi i Sigurisë Kibernetike #“Crowdstrike Global” ka lajmëruar opinionin e gjerë për një gabim në sistemin e tyre. Rrjedhimisht, ky problem nuk është specifik në KESCO, por është problem që ka afektuar të gjitha kompanitë e mëdha globale.

Ekipet përkatëse janë në kontakt me kompanitë botërore, si #Microsoft, #Crowdstrike Global etj. dhe po punohet në zgjidhjen e këtij problemi.
Kërkojmë mirëkuptimin tuaj, dhe shpresojmë që së shpejti të gjitha kërkesat tuaja do të procesohen”, thuhet në njoftimin e KESCO-s.

Kompania globale, Crowdstrike ka thënë se problemet kibernetike që janë shkaktuar të premten në gjithë botën, janë pasojë e një “defekti” gjatë përditësimit të një sistemit të saj.

Kompania njoftoi se është duke punuar për ta rikthyer sistemin në gjendje normale. Kështu, problemet që po përjetojnë kompani të ndryshme kritike në të gjithë botën me rrjetet e komunikimit nuk janë pasojë e ndonjë hakimi apo ndonjë veprimi tjetër dashakeqës.

Microsoft njoftoi më herët gjatë ditës së premtes se shërbimet “cloud” ishin rikthyer kryesisht në normalitet pas problemeve me aplikacionet në SHBA

Përditësimi i aplikuar nga CrowdStrike duket se preku direkt sistemet Windows në të gjithë botën teksa përdoruesit raportuan se në ekranet e laptopeve të tyre u shfaq ajo që njihet si “ekrani blu i vdekjes.”

Linjat ajrore, bankat, kompanitë e telekomit ishin mes shumë bizneseve të tjera që raportuan probleme mëngjesin e së premtes.

Sipas njoftimeve, më shumë se 1,000 fluturime janë anuluar rreth e qark botës deri më tani. Shifrat, që më saktësisht janë 1,078, pritet që të rriten ende më shumë

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy