Paralajmërimet për sulme të mundshme nga Serbia: Sensibilizim i duhur apo “trembje” e investitorëve

by Nexhat

Paralajmërimet e zyrtarëve të lartë të shtetit se siguria në Kosovë po kërcënohet nga Serbia janë shpeshtuar kohëve të fundit.

Deklarimet e tilla në një anë po shihen të nevojshme – madje edhe të domosdoshme, por në anën tjetër po vlerësohen të dëmshme, pasi mund të shkaktojnë rrezik për trembjen e investitorëve të jashtëm

banner

Në fakt, deklarata rreth cenimit të sigurisë në Kosovë nga Serbia ka pasur në vazhdimësi, por ato janë shtuar veçmas pas sulmit terrorist të 24 shtatorit në Banjskë, ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku. Figurat e larta politike kanë alarmuar faktorin ndërkombëtar se ushtria serbe po kryen ushtrime afër kufirit me Kosovën.

Megjithatë, paralajmërimet e tilla javëve të fundit janë bërë edhe më të theksuara.

Së pari, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, tha haptazi se institucionet e Kosovës kanë informacione të sakta se një grup prej qindra personave po ushtrojnë në Serbi dhe po përgatiten për ndonjë sulm eventual tjetër në Kosovë.

“Derisa ne po flasim, institucionet tona kanë informacione të sakta që një grup tjetër prej qindra personash, sërish po e bëjnë të njëjtën gjë në Serbi, po ushtrojnë, po përgatiten për një sulm eventual që mund ta përjetojmë”, deklaroi Konjufca.

Më 09.07.2024, kryekuvendari tha sërish se nëse Serbia mbetet pa u ndëshkuar për sulmin e 24 shtatorit në Banjskë, do ta përsërisë skenarin e njëjtë me përmasa edhe më të mëdha

Më pas, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se edhe pse demokracia e Kosovës është në rritje, kërcënimet ndaj sigurisë së saj janë gjithashtu në rritje

Kurti u shpreh se kërcënimi nga Serbia është real. Ai theksoi se Kosova është duke u përgatitur që serbët të mendohen dy herë nëse do sulmojnë. Kurti përmendi shtimin e buxhetit për ushtrinë, shtimin e numrit të ushtarëve, por edhe blerjen e armatimeve nga SHBA dhe nga Turqia.

Ndër të tjerash, ai përmendi që ushtria serbe së fundmi po kryen një ushtrim ushtarak me armatim ofensiv në Peshter të Sanxhakut, rreth 30 kilometra nga kufiri me Kosovën, vetëm 3 kilometra nga Mali i Zi.

Sipas Kurtit, ata nuk e bënë këtë në Vojvodinë nga Hungaria, por e bënë në drejtim nga Mali i Zi dhe Kosova dhe se është shumë e qartë se nervozizmi i tyre për suksesin e shtetit të Kosovës po përkthehet në agresivitet të shtuar

“Prandaj, edhe neve na duhet të marrim masat, që të jemi sa më të përgatitur, në mënyrë që të mendohen dy herë përpara se të na sulmojnë, kështu që të mos na sulmojnë. Nëse vendosin të na sulmojnë, atëherë të dështojnë ashtu siç kanë bërë nga hera”, tha Kurti në një intervistë për A2CNN.

Së fundmi, edhe kryetarja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Ganimete Musliu (PDK), tha se përpjekjet e Serbisë për tensionim të situatës po vazhdojnë.

Duke u bazuar në të dhënat e inteligjencës shtetërore, ajo tha se grupi terrorist i udhëhequr nga Milan Radoiçiq po vazhdon me ushtrime në rrethinën e Novi Pazarit, Kopaonikut dhe Kralevës.

“Grupi terrorist vazhdon të jetë i strukturuar, ka mjete të mjaftueshme financiare, armë dhe mbështetje nga Beogradi zyrtar. Në vazhdimësi janë duke planifikuar e diskutuar mundësitë për sulme. Radoiçiq është duke mbajtur kontakte me grupe, organizata radikale. Ushtria serbe ka rritur praninë e patrullave në zonën përreth kufirit me Kosovën sidomos nga Zubin Potoku deri në Leposaviq”- ka thënë ajo, pas raportimit të shefit të AKI-së, Petrit Ajeti, në komisionin mbikëqyrës parlamentar

Sipas saj, rritja e kapaciteteve ushtarake dhe stërvitjet ushtarake janë tregues që Serbia vazhdon të ketë synime agresive ndaj Kosovës.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, kërkon nga Qeveria e Kosovës dhe liderët e vendit të jenë më të kujdesshëm  me mesazhet që po përçojnë me deklaratat për sigurinë e vendit.

“Këto deklarata për pasigurinë dhe paralajmërimet për ndonjë sulm të ri, po bëhen pengesë për thithjen e investimeve të huaja në vend”, thotë Rafuna.

Pavarësisht që temat me Serbinë janë të hapura, sipas tij, kjo çështje nuk duhet të jetë pengesë që shteti të punojë më shumë për të sjellë investime të huaja në Kosovë dhe për të dëshmuar që vendi është shtet stabil dhe miqësor.

Por, jo krejt mendojnë njëjtë.

Themeluesi dhe drejtori ekzekutiv i Iniciativës Ekonomike për Kosovën në Vjenë, Kujtim Dobruna, thotë se kërcënimi nga Serbia është real dhe serioz.

“Prandaj, duke u nisur nga fakti se kërcënimi është serioz, deklaratat e zyrtarëve shtetërorë, jo që janë me vend, por janë edhe të domosdoshme”,tha ai.

Sipas tij, deklaratat nga zyrtarët janë me vend ngase sensibilizimi çon në mobilizim, mobilizimi në dekurajim të agresorit e dekurajimi në rritje të sigurisë, që është esenciale për investitorët e huaj.

“Kur shteti vepron dhe e shtrinë sovranitetin, ai forcon legjitimitetin dhe sigurinë, që janë sinjalet më të mira për siguri ligjore për investitorët e huaj”- shtoi ai.

Megjithatë, Dobruna vlerëson se fundja, Kosova nuk është se ka arritur të tërheqë investitorë të mëdhenj

Bazuar në statistika, ai thotë se pjesa dërmuese e investimeve të huaja në Kosovë vjen nga diaspora dhe dedikohet kryesisht për blerjen e palujtshmërive.

Më serioze këto kërcënime, Dobruna i sheh prej kur u shfaq parulla “Kur ushtria të kthehet në Kosovë”, që filloi të shfaqet para sulmit terrorist të 24 shtatorit.

Sipas tij, ky është indikatori më i mirë se këto deklarata nuk janë fjalë koti, por pjesë e propagandës luftënxitëse serbe dhe përgatitje e opinionit.

“Nuk kalon asnjë ditë e vetme gati, që ky kërcënim nuk përsëritet nga zyrtarë të lartë shtetërorë serbë, përfshirë Vuçiqin”- shtoi ai.

Edhe njohësi i politikës, Seb Bytyçi, thotë se kërcënimet e sigurisë janë reale dhe vetëm duhet të kihet kujdes të mos shtrembërohen sepse aleatët perëndimorë kanë inteligjencë për këto kërcënime dhe këto nuk janë të shpikura

Sa i përket investimeve, Bytyçi tha se Kosova ka shumë pak investime të huaja që janë kryesisht nga diaspora dhe kjo nënkupton që ndikimi në frikësimin e tyre është relativisht i vogël.

“E gjithë narrativa e investimeve të huaja direkte duhet të rimendohet sepse evidenca dëshmon që investimet e huaja në një shtet e pasojnë zhvillimin dhe nuk janë ato që e sjellin zhvillimin”- tha ai, duke shtuar se fokusi duhet të jetë te investimet e brendshme dhe politikat industriale për të arritur zhvillimin”, tha Bytyçi.

Në raportin e Departamentit të Shtetit të publikuar më 18.07.2024, vë në dukje se tensionet e vazhdueshme me Serbinë vazhdojnë të jenë pengesë për tërheqjen e investimeve të huaja

Sa i përket investimeve, Bytyçi tha se Kosova ka shumë pak investime të huaja që janë kryesisht nga diaspora dhe kjo nënkupton që ndikimi në frikësimin e tyre është relativisht i vogël.

“E gjithë narrativa e investimeve të huaja direkte duhet të rimendohet sepse evidenca dëshmon që investimet e huaja në një shtet e pasojnë zhvillimin dhe nuk janë ato që e sjellin zhvillimin”- tha ai, duke shtuar se fokusi duhet të jetë te investimet e brendshme dhe politikat industriale për të arritur zhvillimin”, tha Bytyçi.

Në raportin e Departamentit të Shtetit të publikuar më 18.07.2024, vë në dukje se tensionet e vazhdueshme me Serbinë vazhdojnë të jenë pengesë për tërheqjen e investimeve të huaja

Ndër të tjera shkruan se politikat ndonjëherë tekanjoze ekonomike të qeverisë, ndërhyrja politike në ekonomi dhe dialogu i kufizuar publiko-privat, paraqesin gjithashtu sfida për investitorët.

“Investitorët i tërheq popullsia e re e Kosovës, kostoja e ulët e punës, afërsia me tregun e BE-së dhe burimet natyrore. Ndërprerjet globale të furnizimit të shkaktuara nga pandemia COVID-19 kanë ngjallur një interes më të madh nga disa biznese për ta përdorur Kosovën si bazë për prodhim që synon tregun e BE-së”- -thuhet në raport.

Në orët e para të ditës më 24.09.2023, një njësi policore e cila ishte në patrullim në fshatin Zveçan njoftoi se dy kamionë ishin vendosur në urën që të çon drejtë brendësisë së fshatit Banjskë në të cilin gjenden dhjetëra shtëpi

Rreshteri policor Afrim Bunjaku së bashku me dy kolegë të tij i ishin përgjigjur rastit, me ç’rast deri sa ishte afruar te kamionët e vendosur për të parë se çfarë po ndodhte një granatë kundër këmbësorisë me telekomandë kishte shpërthyer.

Bunjaku ishte vrarë në sulm më 24.09.2023 ndërsa dy kolegët e tij, njëri ishte plagosur e tjetri ishte lënduar. Pas informatave për shpërthimin, e të shtënat me armë e me mjete tjera ndaj policëve, njësi të tjera reaguese ishin nisur drejtë Banjskës.

Pamje të ndryshme të publikuara nga Policia e Kosovës, tregonin momente të kapura nga kamerat e vendosura në autoblindat e këtij institucioni deri sa grupi terrorist gjuante me armë të ndryshme drejt tyre. Pamjet e luftimeve mes grupit terrorist dhe policisë ishin publikuar më 01.10.2023 ndërsa ora tregonte 4 e tutje të mëngjesit

Përgjegjësinë për sulmin e po ashtu edhe logjistikën e kishte marrë ish-nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq, i cili është arrestuar më 03.10.2023 në Beograd.

“Për këtë nuk kam njoftuar askënd, as strukturat e pushtetit të Republikës së Serbisë, as në veri dhe nga ta nuk kam pasur asnjë ndihmë sepse deri në atë kohë kishim qëndrime të ndryshme të dallueshme sa i përket mbrojtjes nga terrori i Kurtit, pasi populli serb ka ofruar rezistencë ndaj terrorit të Kurtit shumë raste për zbutje dhe qetësim të situatës politike”- thuhet në letrën e Radoiçiqit, që lexoi avokati i tij më 29.09.2024.

Ai nuk e bëri këtë në mënyrë publike dhe vet por me anë të një letre që e lexoi avokati i tij, Goran Petronijeviq. Madje në po të njëjtën letër ai tha se jep dorëheqje nga pozita e tij në Listën Serbe.

Radoiçiq u intervistua nga Prokuroria në Serbi dhe është lënë i lirë që të hetohet në liri ndërsa vazhdon të jetojë atje. /Kallxo.com

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy