Që nga e premtja kur autoritetet serbe njoftuan për vrasjen e tij, në Beograd s’kanë dhënë ndonjë informacion se çfarë do të ndodhe më tej. S’ka informacione nëse atje ka filluar autopsia e as për atë se kur mund t’i dorëzohet trupi familjes. Ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës Donika Gërvalla ka njoftuar dje se zyrtari ndërlidhës i Kosovës në Beograd tashmë i ka kërkuar palës serbe.
“Kemi adresuar të gjitha temat edhe tek partnerët ndërkombëtarë sepse së paku trupi i qytetarit tonë do të duhej të kthehej sa më shpejt në Kosovë, do të duhej t’i kthehej familjes”, ka thënë ajo.
Në mediat e afërta me pushtetin në Serbi po qarkullojnë versione të ndryshme rreth fazës hetimore. Në njërën prej tyre, të premten, u raportua se Faton Hajrizi e ka thyrr telefonin e tij, ndërsa gazeta “Novosti” po ashtu e afërt me Vuçiq shkruan se në aplikacionet e telefonit të Hajrizit janë gjetur disa adresa të personave në Banja Lluka – kryeqyteti i Republika Srpska.
Tutje, Hajrizi aty përshkruhet si një vegël e shërbimeve sekrete që kishte qëllim destabilizimin e Republika Srpska
” Në media u përmend se autoritetet hetimore gjetën adresa të caktuara në Banja Luka në aplikacionet telefonike të vrasësit dhe bashkëpunëtorëve të tij, se ato kanë lidhje me qarqe dhe shërbime të caktuara politike. Ka të dhëna se Hajrizi ishte një mjet në duart e dikujt, se kishte një plan për të shkaktuar destabilizim në Republika Srpska përmes tij dhe se qëllimi i tij ishte në fakt të arrinte në Banja Lluka. Sipas disa opinioneve, polici i vrarë pa dashje ka parandaluar një të keqe më të madhe që po përgatitej në RS” shkruan gazeta beogradase.
Një qasje të tillë e ka pasur edhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq i cili ka folur të premten mbrëma rreth rastit. Edhe ai, Hajrizin e ka lidhur me shërbime sekrete.
intervistë televizive ka folur për vrasjen e Faton Harjizit nga autoritetet serbe. Vuçiq ka thënë se policia e Serbisë ka kryer punën e saj.
Duke folur në një intervistë televizive, Vuçiq ka thënë se hetimi për rastin do të tregojë të gjitha motivet dhe sipas tij “ka gjëra të çuditshme në gjithë historinë”. Presidenti serb ka provuar të krijojë edhe mjegull lidhur me ngjarjen duke pretenduar se “Faton Hajrizi ishte nën ndikimin e agjencive të ndryshme”.
“Shumë gjëra janë në pikëpyetje, organet kompetente do të bëjnë punën e tyre”, ka thënë Vuçiq.
Ndryshe, në ditën kur u dha lajmi për vrasjen e tij pala kosovare kërkoi që Serbia ta bëjë të ditur identitetin e të vrarit. Të njëjtën ditë MPB e Serbisë e konfirmoi se i vrari si i dyshuar për vrasjen e policit serb afër Lloznicës ishte Faton Hajrizi.
Ndërkohë, Qeveria e Kosovës e cila nëpërmjet Albulena Haxhiut, bëri dje një reagim të gjatë rreth rastit kontestoi ato që tha kreu i MPB në Serbi.
Ajo tha se nuk dihet me siguri se a është i vrari Faton Hajrizi dhe a është vrarë në Serbi apo Republika Srpska.
“Informacionet këto ditë ishin kundërthënëse, andaj nuk mund ta dijmë me siguri, se a është ai njëmend i vrarë dhe nëse po, a është vrarë në territorin e Serbisë apo të Republikës Serbe në Bosnje dhe Hercegovinë, përfshirë detajet tjera të rëndësishme e të nevojshme për hetim. Domosdo nevojitet hetim i gjerë e i thellë, për të zbardhur të vërtetën e këtij rasti”, shkroi ajo
Haxhiu bëri edhe një akuzë në adresë të strukturave të caktuara të pushtetit në Serbi dhe grupeve kriminale në Kosovë që në disa raste kanë bashkëpunuar për të mundësuar arratisjen e të burgosurve në burgjet e Kosovës. Për këtë ajo kërkoi hetim vendor e ndërkombëtar.