Kandidati republikan për president Donald Trump mbajti të shtunën në Miçigan tubimin e parë elektoral së bashku me kandidatin e sapoemëruar për postin e nënpresidentit. Aktiviteti u bë ekzaktësisht një javë pasi ish-presidenti i mbijetoi atentatit gjatë një tubimi në Pensilvani.
“Ishte pikërisht një javë më parë, madje në të njëjtën orë dhe minutë… Qëndroj sot përpara jush vetëm falë Zotit të plotfuqishëm. Nuk duhet të isha këtu tani. Ndodhi diçka shumë e veçantë”, u tha mbështetësve ish-presidenti Trump.
Së bashku me ish-presidentin, në aktivitet ishte edhe senatori nga Ohajo J.D. Vance. Ishte aktiviteti i tyre i parë i përbashkët që kur morën zyrtarisht emërimin në Kuvendin Kombëtar Republikan në Miluoki.
Miçigani është një ndër shtetet kryesore që pritet të përcaktojë rezultatin e zgjedhjeve presidenciale. Ish-presidenti Trump shfrytëzoi rastin për të deklaruar se do të fitojë pavarësisht se kush do të jetë kandidati demokrat
“Kush është kandidati juaj i preferuar? Kë do të dëshironit?… Me kë do të dëshironit më shumë të përballemi? Kush thoni se është kandidati më i mirë? Do t’ja fillojmë me Kamala Harrisin dhe do të vazhdojmë”, tha ish-presidenti Trump.
Presidenti Joe Biden është zotuar se do ta vazhdojë kandidimin dhe po kështu kanë deklaruar edhe zyrtarët e ekipit të tij elektoral, megjithëse zërat mes të zgjedhurve demokratë që po bëjnë thirrje për tërheqjen e ij nga gara po rriten, duke arritur në 36 gjatë fundjavës.
Madje gjatë fundjavës pati edhe një protestë përpara Shtëpisë së Bardhë. Aktivistë dhe votues demokratë u mblodhën me moton “Kaloje Stafetën”, duke i bërë thirrje presidentit Biden që të tërhiqet nga kandidimi për një mandat të dytë.
Ndërsa demokratët po shqyrtojnë një mundësi të tillë, situata në Partinë Demokrate do të varet shumë nga fakti nëse do të jetë nënpresidentja Kamala Harris ajo që do të marrë stafetën, apo nëse do duhet të organizohet me shpejtësi një procesi i ri për përzgjedhje kandidatësh.
Nga ana e saj, nënpresidentja Harris mori pjesë të shtunën në një aktivitet elektoral për mbledhje fondesh në Masaçusets në mbështetje të rizgjedhjes së presidentit Biden. “Do t’i fitojmë këto zgjedhje”, deklaroi nënpresidentja Harris.
Presidenti 81-vjeçar vazhdon të jetë në izolim në shtëpinë e tij në Dellauer për shkak të infeksionit nga COVID-i, ndërsa mediat njoftojnë se po peshon alternativat që mund të përcaktojnë drejtimin e vendit dhe të Partisë së tij Demokrate./VOA