Një incident i madh logjistik ka krijuar kaos në qytetin portual të Barit në Mal të Zi, ku rreth 180 maune nën targa kroate, boshnjake dhe serbe të ngarkuara me xham kanë bllokuar rrugët kryesore, duke penguar lëvizjen e lirë dhe shkaktuar frustrim në mesin e banorëve dhe drejtuesve të automjeteve, duke bllokuar tërësisht njërën korsi të lëvizjes
Këto maune, të cilat transportonin xham nga një anije 4000-tonëshe, e ardhur nga Belgjika, me destinacion final të pa zbuluar, sipas burimeve dyshohet se janë pjesë e operacionit të kompanisë “Gitor Sh.p.k” nga Prishtina, në pronësi të biznesmenit Bledian Ramadani.
Ngjarja ndodhi gjatë shkarkimit të xhamit nga anija në portin e Barit, një proces që përfshiu një numër të madh maunesh të vendosura në radhë të gjata për të marrë ngarkesën e tyre.
Ky operacion logjistik i paplanifikuar mirë krijoi bllokada masive që paralizuan trafikun në qytet, duke bërë të pamundur lëvizjen e lirë për qytetarët dhe drejtuesit e automjeteve
Një banor lokal, Marko Jovanović, i cili u gjend në mes të kaosit, shprehu frustrimin e tij:
“Është shume vapë, vikend dhe kohë plazhi! Maunet kishin bllokuar rrugën kryesore dhe nuk kishte asnjë mënyrë për të kaluar. Ishte një ditë e çuar dëm për të gjithë ne.”
Autoritetet lokale reaguan menjëherë për të zgjidhur situatën e krijuar.
“Një situatë e tillë është e papranueshme dhe ka shkaktuar probleme serioze për qytetarët tanë. Ne po hetojmë shkaqet dhe do të marrim masat e nevojshme për të siguruar që një incident i tillë të mos përsëritet. Trafiku i rënduar ka krijuar probleme të mëdha dhe ne jemi të përkushtuar për të gjetur një zgjidhje sa më shpejt të jetë e mundur.” tha z.Popoviç.
Drejtuesit e trafikut dhe policia kanë ndërmarrë hapa të menjëhershëm për të lehtësuar situatën, duke vendosur më shumë zyrtarë në pikat kyçe për të menaxhuar trafikun dhe për të ndihmuar në rikthimin e normalitetit në qytet.
Përfaqësuesit e Gitor-it ende nuk kanë dhënë një deklaratë zyrtare mbi këtë rast pasi qe emri i kësaj kompanie është lakuar në këtë incident. Megjithatë, vërehet se ky kaos mund të jetë rezultat i një planifikimi të dobët logjistik dhe mungesës së koordinimit të duhur./Gazeta Metro