Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar sot rreth publikimit të një artikulli në RTK që sulmonte disa nga mediat në Kosovë.
LDK thekson se Radio Televizioni i Kosovës (RTK) është dorëzuar tërësisht dhe se mediumi i presupozuar si publik, është shndërruar në vegël të interesit ordiner të pushtetit
“RTK jashtë çdo morali e etike godet mediat e Kosovës, iu bën gjyqin publik dhe i dënon me epitetin e tradhtarit e shërbëtorit të interesave të huaja.
LDK-ja e ka dëshmuar tash e dy vjet – nëpërmjet bojkotit të plotë – se ky medium i thirrur për të përfaqësuar interesin publik dhe promovuar liritë, është shndërruar fatkeqësisht në Bastillen e fjalës së lirë. Në RTK shtypet e vërteta dhe konstruohet propaganda. Reagimet e koordinuara me zyrat partiake e pushtetare, ndërsa, të shfaqura qartazi tashmë, dëshmojnë kapjen e thellë të mediumit publik”, thuhet në reagimin e kësaj partie
LDK tutje thekson se ky është vetëm fillimi sepse sipas tyre “kur sulmohen mediat është shenjë se shpifjet, frikësimet do bëhen edhe më të shpeshta e të dukshme edhe ndaj kundërshtarëve të pushtetit. Prandaj reagimi ynë i përbashkët është domosdoshmëri!”.
“LDK-ja do të shfrytëzojë mekanizmat parlamentar për të vënë në dritë kapjen dhe për t’i mbajtur përgjegjës kapësit dhe shërbëtorët e propagandës. Për më tepër bashkë me qytetarin e Kosovës do ta mbrojmë fjalën e lirë dhe interesin publik në këtë vend me çdo çmim!”, thuhet në njoftim.