Janë arrestuar pesë persona në aksionin e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, kundër mashtrimit me bitcoin-a. Aksioni është zhvilluar në pesë lokacione në Prishtinë, Kamenicë dhe në Viti , .
Gjatë aksionit janë arrestuar pesë persona, një prej tyre zyrtar i Shërbimit Korrektues. Pas intervistimit të tyre në stacion policor, të njëjtit janë dërguar në mbajtje, në kohëzgjatje prej 48 orësh nga Prokurori i Shtetit, për shkak të veprës penale “Mashtrimi”.
“Personat me inicialet: B.Sh., B.H., V.C., B.B. dhe L.B., dyshohen se nga muaji janar-prill 2024, në bashkëkryerje, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete i kanë vënë në lajthim palët e dëmtuara, kinse do t’iu shesin bitcoina, duke i nxitur kështu të veprojnë në dëm të pasurisë së tyre dhe me këto veprime kanë arritur të përfitojnë shuma të konsiderueshme të parave. Në këtë çështje penale janë në kërkim edhe dy (2) persona të tjerë të dyshuar, të cilët nuk janë gjetur në objektet përkatëse”, thuhet në njoftim.
Nga bastisjet e realizuara janë sekuestruar fatura e prova të tjera, të cilat do të shërbejnë në procedurën penale.
Prokuroria në koordinim me policinë do të vazhdojë me ndërmarrjen e veprimeve hetimore lidhur me këtë rast.