Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar dy persona të dyshuar për disa raste të mashtrimit. Po ashtu janë sekuestruar edhe një sasi e parave, që dyshohet se janë përfituar duke kryer vepra mashtrimi.
Të dyshuarit janë shtetas të Kolumbisë, një burrë 47 vjeç dhe një grua 28 vjeç, të cilët janë dërguar në mbajtje për 48 orë.
Sipas Policisë ata “dyshohet të kenë marrë nga ankuesit (punëtor të këmbimoreve) shuma të ndryshme parash duke i mashtruar (gjatë ri-numërimit kanë fshehur një shumë parash derisa kanë qenë duke i konvetruar)”
Policia ka thënë se dyshohet që mashtrimet mund të kenë ndodhur edhe jashtë Prishtinës, prandaj i kanë bërë thirrje të gjithë personave që kanë qenë viktima të lajmërohen në stacionin policor më të afërt.
“Mbështetur në rezultate e para të hetimit, policia ka ngritur dyshimin e bazuar se mashtrimet mund të kenë ndodhur në vazhdimësi edhe jasht rajonit të Prishtinës, si dhe dyshohet se numri i personave të mashtruar nga personat e dyshuar mund të jetë më i madh se sa numri i raportuar. Andaj, kërkojmë nga qytetarët që mund të kenë qenë viktimë e rasteve të tilla të lajmërohen në stacionin më të afërt policor, për të ndihmuar policinë drejt hetimit përfundimtar.”