‘Cinci’ i fajdesë që e çoi prapa grilave nënën me dy djemtë e saj

by Nexhat

Policia e Kosovës mëngjesin e hershëm të datës 19.07.2024 ka bastisur 4 lokacione në Prishtinë, dy banesa, një shtëpi dhe një ‘qebaptore’.

Në këtë aksion kundër të dyshuarve për përfshirje në veprën penale fajde dhe detyrim policia arrestoi katër persona.

Miradije Xhemshitit, dy djemtë e saj, Lorik dhe Valon Xhemshiti, dhe Mergim Zeqiri, janë katër të arrestuarit.

Ata po dyshohen se e kanë detyruar viktimën e fajdesë që të marrë para nga njëri tek tjetri

Kallxo.com ka siguruar një dokument zyrtar të Gjykatës në të cilin thuhet se viktima është njohur fillimisht me të dyshuarin Valon Xhemshiti dhe Lorik Xhemshiti, të cilët i kishte njohur si fqinj dhe përmes prindit të tyre tani të ndjerë, e më pas këta e kishin njoftuar edhe me të pandehurin Mergim Zeqiri tek i cili e kishin detyruar të marrë para me fajde dhe t’ua paguaj kamatat.

Tutje sipas dosjes viktima në pamundësi të përmbushjes së pagesave të pandehurit e kishin dërguar tek nëna e tyre, e dyshuara Miradije Xhemshiti, nga e cila po ashtu kishte marrë para me fajde për t’ua paguar detyrimet tre të pandehurve të lartcekur.

“Te pandehurit, më parë e në vazhdimësi deri më datën 11.7.2024 pa ndërprerë edhe tani, në Prishtinë, në bashkëkryerje e me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë  financiare të të dëmtuarit B. L., kontraktojnë një shumë dukshëm jo proporcionale të pasurisë në këmbim të shërbimit për personin tjetër e cila rezulton me humbje financiare mbi 100,000.00€”- thuhet në dokumentin e siguruar nga Kallxo.com.

Çfarë deklaroi mbrojtja e të arrestuarve nën dyshimin për fajde?

Mehdi Kozhani avokati i Lorik Xhemshitit, ka thanë se klienti i tij nuk e ka pranuar se ka qenë i përfshirë për atë çfarë dyshohet.

“Gjykata e ka pranuar kërkesën e prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit, unë kam bë ankesë dhe jemi duke pritur. Me ankesë kam kërkuar caktimin e një mase më të butë, jo paraburgim, as klienti im e as të tjerët aty nuk e kanë pranuar asgjë”- tha Kozhani.

Avdullah Hoti avokat i Valon Xhemshitit ka thënë se prokuroria nuk i ka prezantuar të gjitha provat, por vetëm disa transkripte të tyre.

“Qysh në fillim të seancës kemi kërku që të na prezantohen provat, prokuroria e ka prezantu vetëm një transkript, jo diçka tjetër. Prokuroria ka bë një kërkesë në mënyrë të përgjithshme pa e specifiku mënyrën e veprimit, mënyrën e arratisjes, peshën e veprës penale për secilin, por në mënyrë të përbashkët e ka bë një dispozitiv. Konsideroj që është e padrejtë”- ka thanë avokati Hoti.

Merita Bogaj avokate e Miradije Xhemshitit tha se e ka kundërshtuar kërkesën për paraburgim.

“E kem kundërshtuar kërkesën në seancën për paraburgim, është e padrejtë me u mbajt në paraburgim një person i moshës së shtyrë derisa në shkresa të prokurorisë nuk ka asnjë fakt, asnjë provë”- theksoi Bogaj.

Kallxo.com ka provuar të marrë edhe një prononcim prej avokatit të Mergim Zeqirit, Zhivojin Jukanoviq, por i njëjti nuk ka dhënë ndonjë detaj kur u kontaktua nga Kallxo.com.

Çfarë thuhet tutje në dosje?

Historia e fajdesë për viktimën ishte e shumë viteve më parë. Sipas këtij dokumenti pretendohet se paratë me fajde i kishte marrë nga një fqinj i tij me një kamatë mujore prej 10%.

“Viktima është detyruar që fillimisht të kontraktoj para me fajde nga tani i ndjeri Sh. Xh., prindi i të pandehurve Lorik dhe Valon Xhemshiti, përkatësisht bashkëshorti i të pandehurës Miradije Xhemshiti dhe të pandehurit Lorik dhe Valon të cilët i kishte fqinj dhe atë fillimisht shumën prej 14,000.00€, për të cilat ka pasur t’ua paguaj kamatën mujore në vlerë prej 10% dhe se ka vazhduar të marrë edhe shuma të tjera derisa vlera ka arritur lartësinë prej 80,000.00€, por që në vitin 2021 i dëmtuari me ndihmën e familjarëve të tij të pandehurve jua ka kthyer shumën prej 60,000.00€ duke mbetur në detyrim edhe 20,000.00€”- thuhet në dosjes. Po ashtu dosja tregon pretendimin se si fajdeja u shpërnda tek anëtarët e tjerë të familjes

“Për shkak të presionit nga i pandehuri Lorik, i dëmtuari detyrohet që të shkojë të marrë para me fajde tek i pandehuri Valon (vëllai i Lorikut) dhe atë shumën prej 15,000.00€ me kamate mujore 10% (1,500 euro në muaj) dhe me këtë shumë e paguan Lorikun, por kur i njëjti nuk arrin t’i paguaj kamatat e mbetura tek këta të pandehur, atëherë të njëjtit e njoftojnë me të pandehurin Mërgim Zeqiri dhe përmes presionit e detyrojnë që nga ky i fundit të marrë para me fajde”- thuhet në dokument.

Dosja përshkruan se për shkak të presionit nga i dyshuari Lorik Xhemshiti, viktima ishte detyruar të marrë para me fajde nga vëllai i Lorikut, Valon Xhemshiti, e kur viktima nuk ka mundur t`i paguaj paratë për ta, atëherë ata e kanë njoftuar me të pandehurin tjetër Mergim Zeqiri dhe përmes presionit e detyrojnë që nga ky i fundit të marrë para me fajde dhe për këto para t’i paguaj kamatat ndaj Lorik edhe Valon Xhemshitit.

“Fillimisht në muajin shkurt 2023 nga i njëjti merr shumën prej 3,500.0 Euero me kamatë mujore 15%, përkatësisht 525€ në muaj. Më pas merr edhe shuma tjera nga 4,000 deri 5,000€ në vlerë të përgjithshme prej 27,000.00€ me kamatë mujore prej 15-20%, dhe për shkak të vonesave tani të njëjtit i detyrohet për shumën prej 40,000.00€, ndërsa paratë që i kishte marrë jua kishte dhënë të pandehurve Lorik dhe Valon Xhemshiti ”- theksohet në dosje

Për t’i paguar kamatat ndaj dy vëllezërve Lorik e Valon Xhemshiti, viktima e fajdesë sipas dosjes së Gjykatës detyrohet të marrë para me fajde nga nëna e tyre, e dyshuara Miradije Xhemshiti.

“Në pamundësi të pagesave ndaj tyre, më pas detyrohet të marrë para me fajde edhe nga e pandehura Miradije (nëna e dy të pandehurve, Lorik dhe Valon Xhemshiti) dhe atë shuma të ndryshme në total të përgjithshëm prej 19,500€ me kamatë mujore 10% dhe këto para t`ua paguaj të pandehurve Lorik, Valon dhe Mergim”- thuhet tutje në dosje.

Tutje shpjegohet se pas këtyre kamatave dhe në pamundësi për t`i paguar ato i dëmtuari në pamundësi edhe të sigurimit të mjeteve, rastin e raporton në Polici.

“I dëmtuari ka thënë Policisë se është njohur me të dyshuarit, fillimisht me Valonin dhe Lorikun, të cilët i kishte njohur si fqinj dhe përmes prindit të tyre tani të ndjerë, e më pas këta e kishin njoftuar edhe me të pandehurin Mergim, tek i cili e kishin detyruar të marrë para me fajde e t’ua paguaj këtyre kamatat. Më pas në pamundësi të përmbushjes së pagesave, të pandehurit viktimën e kishin dërguar tek nëna e tyre (e pandehura Miradije) nga e cila po ashtu kishte marrë para me fajde për t’ua paguar detyrimet tre të pandehurve të lartcekur”- përshkruhet në dokumentin e siguruar nga Kallxo.com, në cilin ndër të tjera theksohet se viktima ka shtuar se ka pas kërcënime të vazhdueshme nga të pandehurit.

“Nga raportet mbi zbatimin e masave të veçanta hetimore ku janë transkriptuar bashkëbisedimet e monitoruara që i ka zhvilluar i dëmtuari me të pandehurit, ku në takimin e monitoruar me të pandehurin Mërgim, ky i fundit mes tjerash i thotë se: “Jo 100 mijë s’të u kanë bo, ti e din që i ke marër me cinc, jo veç po të kallxoj që i ke marrë me cinc dhe ia dorëzon letrën me dorëshkrim ku i kishte specifikuar shumat e vonesave sipas datave dhe totalin e detyrimit”- thuhet në dosje në të cilën tregohet se viktima kishte pasur edhe takime të tjera me të dyshuarit

“Pastaj edhe në takimin tjetër të monitoruar, tre të pandehurit takohen me të dëmtuarin dhe bisedojnë rreth shumës që ka arritur, ku i dëmtuari përmend shumat e ratave (këste) të paguara duke u drejtuar kah të pandehurit duke u thënë: “Ty Miradije 2 mijë euro, ty Valon 4,900 euro, ty Lorik 4,500 euro”. E pandehura Miradije mes e tjerash i thotë: “Qe 3 muaj s’kam marrë ratë”, ndërsa i pandehuri Valon i drejtohet me fjalët: “Pse pe çel… këto farë senesh?”, i dëmtuari thotë se: “Pi çeli se deri në 15 mijë në muaj kam paguar o dashamir”. Kurse i pandehuri Valon i drejtohet me fjalët: “Po na nuk t`kena shti me zor bre…”- theksohet tutje në dosje.

Siç theksohet tutje në dosje, nga deklarata shtesë e të dëmtuarit e dhënë në Polici më datën 16.07.2024, ai ka shtuar se ka pas takim me të pandehurin Mergim rreth çështjes se fajdesë dhe se i pandehuri ia ka dhënë një letër dorëshkrim ku ia ka vendosur shumat, datat dhe vonesat e duke ia përcaktuar shumën e       përgjithshme prej 43,475.00 euro.

Gjykata e Prishtinës ka pranuar kërkesën e Prokurorisë dhe 4 të dyshuarit i ka dërguar në paraburgim prej 30 ditëve.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy