Leutrim Sahiti, këshilltar për media në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ka thënë se rikthimi i shtetësisë së Republikës së Kosovës, tani është pa pagesë.
Në një postim në rrjetin social Facebook, Sahiti ka shkruar se nga 370 euro sa ishte tarifa më e lartë, mërgimtarët tani mund ta rikthejnë shtetësinë e Kosovës pa asnjë pagesë.
“370, 250 dhe 200 euro, ishin tarifat për rikthimin e shtetësisë së Kosovës, varësisht nga shteti ku bëhej aplikimi. Sot mërgimtarët mund të rikthejnë shtetësinë e Kosovës, shpejtë, lehtë dhe pa asnjë pagesë”, shkroi ai.
Ndryshe, ministrja e MPJD-së, Donika Gërvalla Schwarz, një ditë më parë ka bërë të ditur se të gjithë qytetarët e Kosovës që për arsye të ndryshme kanë qenë të detyruar të heqin dorë nga shtetësia e Kosovës mund ta rikthejnë atë përmes procedurave të lehtësuara, të shpejta dhe pa asnjë pagesë.
Gërvalla tutja theksoi rikthimi i shtetësisë së Kosovës është një akt jo vetëm simbolik.
“….Lidhet me shumë të drejta që janë të rezervuara vetëm për qytetarët e Kosovës, si e drejta për të votuar dhe për t’u votuar. Kosova ka nevojë për ju. Prandaj, aplikoni sa më parë pranë konsullatave tona ose në komunën prej nga vini dhe bëhuni sërish shtetas të Republikës së Kosovës!”, ka thënë Gërvalla.