Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, ka kujtuar veprën dhe sakrificën e policit Enver Zymeri në 13 vjetorin e rënies së tij dhe në Ditën Memoriale të zyrtarëve policorë të rënë në detyrë.
“Falë përkushtimit, profesionalizmit dhe vendosmërisë së Policisë së Kosovës, Republika e Kosovës është sot më e sigurt dhe më sovrane. Falë kësaj vendosmërie të Policisë dhe përkushtimit të Qeverisë, kemi arritur të shtrijmë sovranitetin, rendin dhe ligjin në tërë territorin e vendit”, tha ajo.
Gërvalla bashkë me Kryeparlamentarin Konjufca, Zëvendëskryeministrin Bislimi, Ministrin Sveçla dhe Drejtorin e Policisë, Hoxha, kanë bërë nderime pranë Lapidarit të Policëve të rënë në mbrojtje të rendit kushtetues.
“Heroizmi dhe sakrifica e Enver Zymerit dhe e të gjithë zyrtarëve policorë që kanë rënë në krye të detyrës, janë një burim frymëzimi dhe krenarie për të gjithë ne. Lavdi e përjetshme atyre që ranë për lirinë dhe sigurinë e Kosovës! Lavdi heroit tonë, Enver Zymeri!”.