Për herë të parë policia shqiptare dhe malazeze janë bërë bashkë duke asgjesuar mbi 11 mijë bimë kanabis sativa në Kelmend të Malësisë së Madhe teksa finalizuan operacionin “Bjeshkët”, raporton gazetari Senad Nikshiqi për Balkanweb
Në këtë operacion mes dy policive, u arrestua shtetasi Mark Gilaj, 28 vjeç të cilit iu gjetën edhe dy armë
Kjo u bë e ditur në një konferencë për shtyp mes policisë së Shqipërisë dhe asaj të Malit të Zi….
Zv. drejtori i Policisë në Malin e Zi Lazar Scepanoviç u shpreh se aksionet e përbashkëta më Shqipërinë për të goditur trafikun e drogës do të vijojnë
“Aksioni i sotëm ka për qëllim, operacione të përbashkëta me Shqipërinë. Kemi marrë pjesë sëbashku në operacionin ‘Bjeshkët’ dhe në këtë aksion të madh kanë marrë pjesë përfaqësues të policisë, antidrogës dhe efektivë të tjerë të Shkodrës, Podgoricës por edhe Shqipërisë e Malit të Zi
Në një operacion të fshehtë në një territor të vështirë u kapën mbi 11 mijë bimë të shpërndara në 3 parcela dhe u gjetën armë. Shtetasi i ndaluar është shtetas shqiptar dhe u gjet në vendin e ngjarjes me dy armë zjarri.
Ky është aksioni i parë ku dy policitë operuan sëbashku por nuk do të jetë i fundit. Përsa i përket grupeve kriminale, veprojnë në të dy anët e kufirit me qëllime përfitimi dhe jemi të vendosur për të mos lejuar këto veprimtari kriminale në Shqipëri dhe Malin e Zi. Ky operacion tregon se policia malazeze dhe shqiptare janë partnerë të besueshëm në goditjen e aktiviteteve kriminale në të dy vendet. Territori i Malit të Zi, është territor tranziti. Transportimi i drogës është global, ajo që treguam sot është vendosmëria e plotë për të luftuar trafikun e drogës. Ne nuk mund të themi se kufiri është i mbyllur si në diktaturë, puna jonë parandaluese është rritur nga dita në ditë”.
Drejtori i policisë së Shkodrës Sulaj thotë se kultivimi i kanabisit në këtë qark ka rënë edhe pse Shkodra vijon të jetë ende në hartën e kuqe.
I pyetur nëse vërtetë ka patur kërcënime nga grupet kriminale gjatë këtyre kohëve, drejtori Sulaj e mohoi një gjë të tillë.
Këto deklarata mes policisë shqiptare dhe asaj malazeze u bënë në doganën e Hanit të Hotit