Policia e Kosovës ka raportuar tri raste të kapjes së narkotikëve gjatë festivalit “Sunny Hill” në fshatin Bërnicë e Poshtme, Prishtinë.
Rasti i parë: Rreth orës 2 të mëngjesit të së premtes, policia ndaloi një person dhe gjatë kontrollit i gjeti një sasi droge. Personi u arrestua dhe u dërgua në mbajtje.
“Fsh. Bërnicë e Poshtme, Prishtinë 26.07.2024 – 02:00. Policia ndaloi një të dyshuar mashkull kosovar dhe gjatë kontrollit iu gjet dhe konfiskua një sasi narkotikësh. I dyshuari u arrestua dhe me vendim të prokurorit u dërgua në mbajtje”, thuhet në raportin e policisë.
Rasti i dytë: Të premten rreth orës 21:30, gjatë një kontrolli, policia gjeti 10 cigare me substancë të dyshuar marihuanë tek një person. Ai u intervistua dhe më pas u lirua.
“Fsh. Bërnicë e Poshtme, Prishtinë 26.07.2024 – 21:30. Njësiti policor gjatë kontrollit tek i dyshuari mashkull kosovar gjeti dhe konfiskoi dhjetë (10) cigare me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë, me peshë 12 gramë. I dyshuari u intervistua dhe me vendim të prokurorit, u lirua”, raportoi policia.
Rasti i tretë: Rreth orës 23:00 të premten, një person u kap me 11 pilula që dyshohet të jenë ekstazi dhe një qese me substancë që dyshohet të jetë kokainë. I dyshuari u arrestua dhe u dërgua në mbajtje.
“Fsh. Bërnicë e Poshtme, Prishtinë 26.07.2024 – 23:00. Njësiti policor gjatë kontrollit tek i dyshuari mashkull kosovar gjeti dhe konfiskoi një sasi prej 11 pilulave që dyshohet të jenë ekstazi dhe një qese me substancë të dyshuar narkotike të llojit kokainë. I dyshuari u arrestua dhe me vendim të prokurorit u dërgua në mbajtje”.