Gjykata Themelore e Ferizajt e ka dënuar Dardan Krivaqën edhe në rigjykim me burg të përjetshëm për vrasjen e Marigona Osmanit.
Për këtë ka reaguar edhe Jehona Lushaku-Sadriu nënkryetare e Komunës së Prishtinës.
Ajo ka thënë se drejtësia duhet të jetë mbi të gjitha, duke e përshëndetur këtë vendim të gjykatës.
Sipas saj, ky vendim i sotëm shihet si një dritë në fund të tunelit, që dëshmon se drejtësia është e vetmja garancë për ta menduar jetën dhe të ardhmen e sigurt të vajzave dhe grave në vendin tonë
“Sot, duartrokasim fort rikonfirmimin e vendimit të gjykatës për dënimin me burgim të përjetshëm për Dardan Krivaqën, i cili i mori jetën 18 vjeçares Marigona Osmani në mënyrën më mizore. Ky vendim i sotëm shihet si një dritë në fund të tunelit, që dëshmon se drejtësia është e vetmja garancë për ta menduar jetën dhe të ardhmen e sigurt të vajzave dhe grave në vendin tonë. Me gjithë përpjekjet dhe avokimin e vazhdueshëm të grave për të avancuar pozitën, mirëqenien dhe sigurinë e grave dhe vajzave në Kosovë ndër vite, kohët e fundit shteti nuk ia ka dalur”, ka thënë ajo.
“I kujtojmë mëngjeset kur zgjoheshim me frikën se mos dëgjonim se diku në ndonjë cep të vendit tonë është kërcënuar apo edhe i është marrë jeta e ndonjë gruaje. Kjo sepse radhazi ndodhën raste eklatante dhune ndaj shumë grave, që edhe kulmuan me vrasje brutale. Nga viti 2010 deri në prill 2024 në Kosovë janë vrarë 57 gra. Më shqetësuesja është se në të shumtën e rasteve vrasës kanë qenë vet bashkëshortët e tyre”, ka deklaruar Lushaku.