Tash e 20 ditë puna në ndërmarrjen “Trepça” është ndalur. Arsyeja e ndalimit të punës së minatorëve është mos ekzekutimi i pagave tash e dy muaj.
Kështu po thotë për Front Online kryetari i Sindikatës së Minatorëve, Ibrahim Jonuzi.
Jonuzi thotë se në “Trepçë” gjendja është e rëndë.
Sipas tij, minatorët në mungesë të pagave kanë hyrë në borxhe për shkak të obligimeve bankare e familjare
Ai deklaron se ka kërkesa nga minatorët të kërkojnë dorëheqje për të punuar në sektorit privat pas pakënaqësive.
“As pagat as shujtat ushqimore nuk i kanë marr nga qershori dhe është ndalë puna që 20 ditë për këtë arsye. Është krizë e madhe, kanë hyrë në borxhe për shkak të obligimeve të bankave dhe është gjendje shumë e rëndë. Ka raste të minatorëve që kanë kërkuar të shkojnë të punojnë tek sektori privat jashtë orarit për me bërë zgjidhje se s’kanë qysh me i mbajt familjet”, u shpreh ai.
Jonuzi ka paralajmëruar se vetëm edhe dy ditë do të presin pastaj do të veprojnë minatorët.
Ai ka kritikuar Qeverinë “Kurti” për mos takim me sindikatën.
“Do të ketë veprime sindikale edhe këto dy ditë nëse nuk ka zgjidhje, është e paqëndrueshme situata. S’kemi pasur asnjë takim me sindikatën e Qeverinë s’kemi pas asnjë informatë përveske janë duke e punuar një plan, por minatorët nuk kanë kohë më të presin se fëmijët e tyre kërkojnë ushqim e furnizime familjare”, deklaroi Jonuzi
Jonuzi deklaron se qasja e pushtetit aktual po i ndëshkon minatorët.
“Qasja e Qeverisë është e pakuptueshme se po i anashkalon institucionet dhe nuk është e gatshme me marr përgjegjësi që i takon dhe me gjet zgjidhje se të gjitha ndërmarrjet publike po operojnë me humbje por ata që po ndëshkohen ja vetëm minatorët”, u shpreh ai.
Kompleksi metalurgjik Trepça, deri në vitet ’90 kur është përkeqësuar situata politike, është llogaritur si një prej ndërmarrjeve më të mëdha jo vetëm në Kosovë, por edhe në territorin e Jugosllavisë së atëhershme.
Me rreth 20.000 punëtorë, ai është cilësuar si shtylla kryesore e ekonomisë së Kosovës dhe ish-Jugosllavisë.
Sipas të dhënave të institucioneve të Kosovës, nga viti 1945 deri në periudhën para vitit 1990, nga minierat e Trepçës janë nxjerrë rreth 600 mijë tonë xehe në vit