Manchester City po qëndron në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të kryer fazën përgatitore dhe tanimë kanë zhvilluar dy ndeshje miqësore.
City ka humbur në dy sfidat e para miqësore 4-3 nga Celtic dhe 3-2 nga Milani dhe kjo ka bërë që Pep Guardiola të alarmohet
Tekniku spanjoll ka thënë se nuk kanë lojtarë të mjaftueshëm me vete, pasi 13 prej tyre ende nuk janë rikthyer nga pushimet pasi kanë luajtur gjatë në Euro 2024, Copa America apo edhe disa të tjerë që janë në Lojërat Olimpike.
“Do të jemi vonë, jo vetëm kundër Manchester United në Superkupë, por edhe kundër Chelseat dhe Ipswich gjithashtu në dy ndeshjet e para në Ligën Premier”.
“Objektivi është të përpiqemi të mos humbim shumë pikë, të përpiqemi të konkurrojmë mirë. Nuk kemi lojtarë, sepse duhet të pushojnë”, tha trajneri spanjoll.
Tutje Guardiola u ankua në UEFA, FIFA dhe Ligën Premier për kohën e madhe që futbollistët po e kalojnë duke zhvilluar ndeshje dhe pa pasur mundësi pushimi.
“Nëse shefat e mëdhenj dhe të gjitha institucionet si FIFA, UEFA dhe Liga Premier nuk mendojnë për lojtarët, atëherë trajnerët duhet të mendojnë për ta, përndryshe ata vdesin. Është shumë”.
“Kjo është arsyeja pse tri javë ose një muaj pushim janë të nevojshme, por konkurrenca ekziston dhe ne duhet të përshtatemi. Nuk ka zgjidhje dhe nuk do të ketë zgjidhje sepse nuk ka asnjë qëllim për të gjetur një zgjidhje”.
“Do të donim të kishim përgatitje adekuate, por është e pamundur sepse kombëtaret meritojnë të luajnë dhe të gjitha institucionet si FIFA dhe UEFA dhe garat lokale duan të mbrojnë produktin e tyre dhe të luajnë ndeshje”, tha Pep Guardiola