Pas zgjatjes së mandatit të emisarit special të BE-së në dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, nga Këshilli i BE-së, u ngrit edhe pyetja nëse mund të ketë një takim në mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit Aleksandar Vuçiq. Sipas njohësve të procesit të dialogut, kjo do të ndodhë vetëm nëse BE-ja tregon autoritetin mbi palët, por dhe se kjo varet nga kryeministri i Kosovës nëse heq dorë nga tre kushtet që ka vendosur.
Këshilli i Bashkimit Evropian ia ka zgjatur edhe zyrtarisht mandatin emisarit sllovak, Miroslav Lajçak, deri më 31 janar 2025
E, kjo domosdoshmërisht ia zgjatë punën edhe në dialogun Kosovë-Serbi, i cili është në një bllokadë, tash e disa kohë.
Atë do mund ta zgjidhte një takim në mes kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ani pse një i tillë nuk po duket në horizont
Nëse pritet një takim i tillë në mes dy liderëve nuk janë përgjigjur nga zyra e Bashkimit Evropian.
Megjithatë si pak të mundshëm takimin mes Kurtit dhe Vuqit po e sheh analisti politik Visar Ymeri.
“Po tash sa i përket takimeve nuk mund të e përjashtoj tërësisht se edhe mund të ketë, edhe pse nuk më duket ndonjë arsye pse me pas. Kjo për shkak se shihet që nuk ka kurrëfarë progresi dhe asnjë vullnet me ec përpara në zbatimin e marrëveshjeve”, ka thënë Ymeri, për RTV Dukagjini.
Ymeri në këtë aspekt kërkon një dorë të “hekurt” nga BE, duke kërkuar progres në këtë drejtim.
“Bashkimi Evropian është dashtë me fillu me përdor shkopin, përveçse karotën, karotën e premtuar gjithnjë, që ky proces i dialogut t’i japë rezultatet e veta”, ka thënë Ymeri
Ndërkaq, analisti politik Afrim Kasolli thotë se mbajtja e një takimi varet më shumë nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
“Duhet ta kemi të qartë se aktorët kryesorë ndërkombëtarë janë të kënaqur me punën e z.Lajçak. A do mund të organizohet një takim i tillë varet nga vullneti i kryeministrit se sa do t’i sakrifikoje disa nga kushtet që i ka vendosur në takimin e fundit”, ka thënë Kasolli.
Përveç dorëzimit të Radoiçiqit, Kurti ka kërkuar që Serbia të tërhiqet nga letra që kishte dërguar në bllokun evropian ish-kryeministrja Ana Brnabiq, përmes së cilës Beogradi shprehu rezerva për Marrëveshjen në rrugën drejt normalizimit të raporteve.
Kurti ka kërkuar që kjo marrëveshje, e arritur vitin e kaluar të nënshkruhet. /Dukagjini/