Xhudistja kroate Katarina Krishto (22-vjeçe) ka mbetur pa medalje në Lojërat Olimpike në Paris. Në luftën për vendin e tretë në kategorinë deri në 63 kilogramë, ajo humbi nga përfaqësuesja e Kosovës Laura Fazliu në një përfundim dramatik.
Media kroate “Index.hr” shkruan se në luftën për “pikën e artë” dhe fitoren, Krishto e rrëzoi në krah kundërshtaren e saj dhe gjyqtarët fillimisht i dhanë një “wazari”, pra pikën e fitores, por pas rishikimit të videos ndryshuan vendimin pasi konstatuan se përfaqësuesja kroate po mbante kosovaren poshtë brezit, që është e ndaluar. Me këtë, Krishto mori një paralajmërim të tretë dhe humbi.
Media tjetër kroate “Jutarnji” ka dalë me titullin: “E pabesueshme! Kroacia kishte medaljen e dytë në Lojërat Olimpike, dhe më pas gjyqtari na e mori bronzin”.
Xhudistja kroate Katarino Krishto është mposhtur nga xhudistja kosovare Laura Fazliu me një “pikë të artë” në ndeshjen për bronz në kategorinë deri në 63 kg në Lojërat Olimpike në Paris.
Xhudistja kroate ka mbetur pa bronz pas humbjes tronditëse nga xhudistja kosovare.
Vendimi u mor me paralajmërimin e tretë pas një minutë e 23 sekondash të shtesës.
Lufta përfundoi pa pikë, por me dy paralajmërime për secilën xhudiste. Në shtesën, pas 1:23 minutave të lojës, Krishto shënoi “Wazarin” dhe praktikisht tashmë filloi të festonte medaljen e bronztë.
Mirëpo, pas rishikimit të videos, xhudistja kroate 22-vjeçare mori një paralajmërim të tretë për kapje nën brez dhe fitorja i shkoi përfaqësueses së Kosovës.
Media serbe B92, fitoren e Kosovës e quajti “vjedhje”.
“E ashtuquajtura Kosovë ia ‘vodhi’ medaljen Kroacisë“, është titulli i B92.
Xhudistja Laura Fazliu solli medaljen e dytë për Kosovën në Lojërat Olimpike në Paris, “por jo pa një skandal të mundshëm”.
“Fazliut i është dashur të luftojë për medaljen përmes një repeshazhi, ndërsa në ndeshjen për medaljen e bronztë ka mundur kroaten Katarina Krishto”, shkruan kjo media serbe.
Fazliu solli medaljen e dytë në total për Kosovën në kategorinë deri në 63 kilogramë. Medaljen e parë, të argjendtë, e fitoi edhe xhudistja Distria Krasniqi.
“Megjithatë, mediat kroate shkruajnë se rezultati në luftën për medalje nuk ishte i drejtë”, shkruan B92.
“Fazliu e fitoi medaljen me ‘pikë të artë’, dhe një paralajmërim u vendos pas një minutë e 23 sekonda shtesë, pasi u barazua dhe me dy paralajmërime pas pjesës së rregullt”.
“Krishto e Kroacisë arriti ‘Wazari’ në kohën shtesë dhe praktikisht filloi të festonte medaljen, por pasoi drama”.
“Pas rishikimit të videos, xhudistja kroate 22-vjeçare mori një paralajmërim të tretë për kapje poshtë rripit dhe fitorja i shkoi kundërshtares”.
“Në fund, megjithatë, medalja e pestë në histori për të ashtuquajturën Kosovë”, shkruan me hidhërim B92.