Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti mori pjesë si mysafir nderi në drekën e ftuar nga ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomáš Szunyog me ambasadorë të akredituar të vendeve të Bashkimit Evropian dhe vendeve kandidate për Bashkim Evropian në Kosovë.
Mirënjohës për ftesën si mysafir nderi, kryeministri Kurti falënderoi të gjithë ambasadorët për bashkëpunimin dhe komunikimin e rregullt. Në veçanti falënderoi ambasadorin Szunyog, i cili është në përmbyllje të mandatit të tij si Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, për kontributin e tij, përveçse bashkëpunimin e mirë.
“Në këtë drekë, kryeministri theksoi rëndësinë që ka Plani i Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor dhe për Kosovën, veçanërisht, dhe përgatitjet që Qeveria po bën për këtë plan. Ai bëri thirrje për largimin e masave të BE-së ndaj Kosovës, teksa përsëriti mbështetjen dhe orientimin e qartë që Kosova ka për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, thuhet në komunikatën e Qeverisë së Kosovës