Presidentja Vjosa Osmani tha se e ka të pamundur të merret “me secilin artikull në media”, pasi u pyet se pse nuk reagoi kur Radio Televizioni Publik transmetoi një “lajm” se presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq po i merr në dispozicion disa media të Kosovës.
Osmani tha në një konferencë për media se parimisht, ajo refuzon “çdo lloj gjuhe ose akuze” e cila “e vendos në rrezik jetën e tjetrit”
“Sa i përket artikullit të RTK-së, tash t’ju them sinqerisht, me nisë me reagu sa herë RTK-ja ka publiku, ta zëmë, artikuj ku mua më patën shpallë, ta zëmë, në heshtje zgjedhore, bashkëpunëtore të Putinit, a ju kujtohet kjo kohë? S’po më duket që ka pasur reagim ndonjëherë nga të tjerët, e shumë e shumë çështje të tjera. -Si parim, si parim – sepse është e pamundur me secilin artikull në media të merremi – si parim, si presidente e Republikës, refuzoj çdo lloj gjuhe ose akuze e cila në emër të ‘lirisë së shprehjes’ e vendos në rrezik jetën e tjetrit. Këto janë parime edhe të Gjykatës Ndërkombëtare Europiane për të Drejtat e Njeriut, të mishëruara në Kushtetutën tonë, që liria e shprehjes vlen deri aty ku ti nuk e rrezikon sigurinë nacionale, nuk e rrezikon lirinë e tjetrit, nuk e rrezikon dinjitetin e tjetrit dhe nuk e rrezikon jetën e tjetrit”, tha ajo në një konferencë për media, pas një takimi me përfaqësuesit e partive parlamentare për të diskutuar për zgjedhjet e rregullta.
Osmani tha se diskuton vazhdimisht me institucionet e sigurisë se “si të mbrohen në mënyrën sa më të mirë të mundshme të gjithë gazetarët, që ata sa më mirë të mund ta bëjnë punën e tyre të lirë, pa asnjë presion, e aq më pak duke pasur frikë”.
Ajo iu kërkoi gazetarëve që t’i zbatojnë disa “parime”.
“Pra, në këtë kontekst si institucion kërkojmë vazhdimisht, pa përmendur emra, pa përmendur media, sepse parimi vlen për të gjithë dhe njësoj shpresoj që të njëjtat parime t’i zbatoni edhe ju, sepse ne shpeshherë shohim në media mysafirë – nuk po du me përgjithësu, janë raste të veçanta – ku ftohen persona të cilët paraqiten kinse si ekspertë dhe akuzojnë presidenten e Republikës për spiunazh. Dhe këto lajme prodhohen e riprodhohen pa u komentuar askund – se akuzë më të rëndë sesa për spiunazh, që e rrezikon jetën e kreut të shtetit dhe fëmijëve të saj sesa kjo, nuk ka ndodhur në historinë e Kosovës, kurrë. Mirëpo ballafaqohemi me to çdo ditë”.
“Këto janë duke u përcjellë në institucionet e drejtësisë”, tha Osmani, dhe i inkurajoi mediat që të veprojnë njësoj kur cenohen.