UNESCO ka shtuar skenën e një masakre të epokës së aparteidit dhe një fshat ku Nelson Mandela jetoi, në Listën e Trashëgimisë Botërore. Lista e re përbëhet nga 14 vende në të gjithë Afrikën e Jugut të grupuara nga UNESCO si “Vendet e trashëgimisë së Nelson Mandela”.
Ato përfshijnë skenën e masakrës së Sharpeville të vitit 1960, kur policia qëlloi për vdekje 69 protestues me ngjyrë, përfshirë fëmijë. Gjithashtu, në listë është Universiteti i Fort Hare në provincën e Kepit Lindor, ku kreu i antiaparteidit Mandela studioi dhe fshati i largët i Mqhekezweni, ku ai tha se nisi aktivizmi i tij politik.
Mandela, i cili vdiq në vitin 2013 në moshën 95-vjeçare, u bë presidenti i parë i Afrikës së Jugut i zgjedhur në mënyrë demokratike në vitin 1994, katër vjet pasi qeveria e aparteidit e liroi atë nga 27 vjet burg. “Njëzet e pesë vjet pasi ishulli Robben u regjistrua në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, lista e re siguron që trashëgimia e çlirimit të Afrikës së Jugut dhe vlerat që ajo mishëron do t’u transmetohen brezave të ardhshëm”, tha Drejtoresha e Përgjithshme e UNESCO-s, Audrey Azoulay.
Shtimi i vendeve në regjistrin e Trashëgimisë Botërore u ra dakord në një takim të UNESCO-s në Nju-Delhi, i cili miratoi gjithashtu tri vendndodhje në Afrikën e Jugut të rëndësishme për të kuptuar origjinën e njerëzve. Të vendosura në provincat e Kepit Perëndimor dhe KwaZulu-Natal, vendet janë një thesar të dhënash të larmishme për zhvillimin e sjelljes moderne njerëzore, duke arritur deri në 162 000 vjet më parë”, thuhet në deklaratën e UNESCO-s.