Aleanca për Shqiptarët dënon ashpër incidentin e rëndë ndaj Republikës së Kosovës, përmes sjelljes së zyrtarëve të Aeroportit të Shkupit ndaj presidentes kosovare, Vjosa Osmani.
Në reagimin e tyre kërkohet që autoritetet kompetente të hetojnë dhe të sanksinojnë të gjithë personat përgjegjës për këtë sulm, siç e quajnë, skandaloz.
“Kërkojmë urgjentisht që autoritetet kompetente të hetojnë dhe të sanksinojnë të gjithë personat përgjegjës për këtë sulm skandaloz ndaj autoritetit të Presidentes së Kosovës, duke shkelur të gjitha protokolet dhe konventat ndërkombëtare.
Qeveria e VMRO-së përmes vazalëve të VLEN-it, duke mos u mjaftuar me degradimin që u kanë bërë shqiptarëve në RMV, tani tentojnë që të nënçmojnë dhe ofendojnë edhe Kosovën, madje deri edhe Presidenten e Republikës së Kosovës.
Për ne ky rast nuk është një incident i thjeshtë, por një provokim i rëndë për të cilin duhet të mbajnë përgjegjësi dhe të kërkojnë falje nga i pari i Qeverisë, deri tek personat që kanë qenë pjesëmarrës në këtë rast”, thanë nga Aleanca për Shqiptarët.